‘Kosova sonte do të bëjë një ndeshje të bukur’
F.Bytyqi/RTKLive
Trajneri i njohur i futbollit tonë, Ramiz Krasniqi në prag të ndeshjes së Kosovës me Lituaninë, ka thënë se nuk është e lehtë që lojtarët tonë të motivohen pas asaj që ndodhi tri ditë më parë në Bukuresht në ndeshjen ndaj Rumanisë.
Dardanët sonte në ‘Fadil Vokrri’ do të ndeshen me Lituaninë në sfidën e fundit të këtij cikli garash në Ligën e Kombeve.
“Sigurisht nuk është lehtë të motivohen lojtarët, por çunat kanë pasur përkrahje të madhe. Mbi 95 për qind nga populli i Kosovës i kanë dhënë përkrahje për veprimet në fushë dhe jashtë saj. Nuk ka qenë lehtë në Rumani, ndërsa pas gjithë atyre ngjarjeve mendoj se këta djelmosha t’i çmojmë dhe lëvdata të shumtë për ta”, ka thënë Krasniqi.
Ai është i bindur se djemtë e Kosovës sonte do të bëjnë një ndeshje të bukur që do të kënaq tifozët e shumtë kosovarë.
“Mendoj se për këto dy ditë janë qetësuar, atmosfera është e shkëlqyer në mesin e tyre, kolektiv i shëndetshëm dhe besoj se kjo ndeshje do të jetë me disiplinë dhe motivim maksimal. Ajo që ka ndodhur ka ndodhur. Futbollistët do të angazhohen për të na dhënë një kënaqësi pas asaj ndeshje katastrofike”, ka theksuar Krasniqi.
Optimist për fitore e Kosovës në duel me Lituaninë, është shprehur edhe Malsor Gjonbalaj, analist i futbollit.
Sipas tij, dueli me lituanezët do të jetë një test i mirë për disa lojtarë të cilët nuk e kanë pasur rastin në ndeshjet e kaluara.
“Këto ndeshje është test i mirë për disa prej futbollistëve që nuk kanë pasur rastin në ndeshjet e shkuara që të angazhohen më shumë. Lituania nuk është cilësore në pjesën dërrmuese në pjesën e madhe të lojës, por në aspektin fizik është solide. Ka futbollistë që e bëjnë dallimin në disa momente, por assesi në mënyrë kolektive që cilësinë ta tregojë në disa aksione”, ka pohuar Gjonbalaj.
Ai mendon se Kosova ka potencial të mposht Lituaninë.
“Kosova me potencialin që ka duhet me mposhtë. Por, nuk mposhtet veç me kualitet, por me angazhimin në lojën. Sinkrozimi Aliti me Krasniqin që është i mirë shkaku që Fidani ka eksperiencë ndërsa Iliri është ftuar disa herë, por nuk ka shumë vend. Në mesfushë Muslija nuk është, por trajneri ka besim dhe ka vendosur Albionin pranë Vedatit. Duket në rreshtim si prapa tij, por kemi dy sulmues në qendër”, ka theksuar Gjonbalaj.
Ndeshja Kosova-Lituania nis në orën 20:45.























