Radmilla Sheqerinska emërohet zëvendëssekretare e NATO-s
Gjeraqina Tuhina|RTK
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka vendosur të emërojë Radmila Shekerinska nga Maqedonia e Veriut, si zëvendëssekretare e përgjithshme e aleancës.
“Kam kënaqësinë të njoftoj emërimin e Radmila Shekerinska si zëvendëssekretare e përgjithshme. Ajo është një besimtare e vërtetë në NATO, e di punën që duhet për t'u anëtarësuar në Aleancë dhe çfarë do të thotë të jesh një anëtare e plotë. Mezi pres të punoj me të ndërsa ajo merr këtë rol jetësor”, ka deklaruar me këtë rast, shefi i Aleancës Veri-atlantike, Mark Rutte.
Radmila Shekerinska është gruaja e parë nga Ballkani Perëndimor që merr post aq të lartë në aleancë, atë të zëvendëssekretares se NATO-s.
Radmila Shekerniska ka shërbyer më parë si zëvendëskryeministre për Integrime Evropiane dhe Ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë edhe anëtarësimin e vendit në Aleancën e NATO-s në vitin 2020.
Në vitin 2004, ajo mbajti për një kohë të shkurtër postin e kryeministres në detyrë, duke u bërë gruaja e parë që e bën këtë në vend. Postin e personit të dytë në aleancë, Shekerinska do e merr para fundit të këtij viti.























