Ukraina për herë të parë përdor raketat ATACMS brenda territorit rus
Luan Qorraj / RTK
Një ditë pasi që presidenti amerikan, Joe Biden, e dha lejen, forcat ukrainase kanë përdorë raketat amerikane me rreze të gjatë veprimi, ATACMS, për të goditur caqe brenda Rusisë, duke nxitur Kremlinin që përsëri ta akuzojë SHBA-në për përshkallëzim të luftës.
Raportet e fundit nga lufta në Ukrainë thonë se forcat e Kievit, për herë të parë, kanë përdorur raketat amerikane me rreze të gjatë veprimi, ATACMS, për të goditur caqe brenda territorit rus. Sipas burimeve nga Kievi, ukrainasit në mënyrë efikase goditën disa caqe në rajonin e Brianskut , dhjetëra kilometra larg kufirit që ndanë Rusinë dhe Ukrainën.
Edhe Moska ka konfirmuar përdorimin e këtyre armëve nga ana e ukrainasve por, sipas Kremlinit, mbrojtja ajrore e Rusisë ka arritur të rrëzojë 5 prej 6 predhave të lansuara drejtë Rusisë.
Njoftimi për përdorimin e ATACMS brenda Rusisë erdhi një ditë pasi që presidenti amerikan, Joe Biden, ia dha lejen Kievit që të përdorë këto armë për të goditur caqe ushtarake brenda territorit rus.
Moska, nga ana e saj, tha se kjo lëvizje është eskalim i mëtejmë i luftës ngas ana e perëndimorëve dhe u zotua se do të përgjigjet.
Njëkohësisht është bërë e ditur se presidenti rus, Vladimir Putin, ka ndryshuar doktrinën bërthamore ruse duke e ulur pragun e përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë. Mes tjerash, ndryshimi i doktrinës përfshin edhe nenet, sipas të cilave Rusia do të mund të përdorë armatimin bërthamor edhe kundër ndonjë armiku, i cili nuk ka kapacitet bërthamor.
Edhe pse, teorikisht, ky ndryshim rrit mundësinë e përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë nga ana e Rusisë, ekspertët kanë thënë se gjasat që një gjë e tillë të ndodhë janë shumë të vogla dhe se Putini, me këtë lëvizje, po tenton t’i frikësojë kundërshtarët dhe të shtyn perëndimorët të druajnë nga rritja e mëtejmë e ndihmave për Ukrainën.























