SHBA është pajtuar që ta furnizojë Ukrainën me mina tokësore
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA është pajtuar që ta furnizojë Ukrainën me mina tokësore

Bardhyl Bajrami/ RTK

Presidenti Biden është pajtuar që ta furnizojë Ukrainën me mina kundër tokësore për të frenuar përparimin e forcave ruse në terren në Ukrainë. Ndërkohë, ambasada në Kiev ka pranuar informata për një sulm të mundshëm prandaj është mbyllur përkohësisht. E presidenti Volodymyr Zelenski ka thënë se Ukraina nuk mund ta fiton luftën nëse SHBA vendos t`i zvogëlojë ndihmat ushtarake.

Sipas një zyrtari amerikan, Ukraina është zotuar për përdorimin e atyre minave që mbeten aktive vetëm për një periudhë të caktuar kohore dhe se ato nuk do t'i përdorë në zonat me dendësi më të madhe të popullsisë.

Minat kundër-trupave tokësore janë paraparë të shpërthejnë kur një person ofrohet brenda një distance të caktuar. Këto mina, sipas një programimi paraprak, mund të jenë aktive nga 4 orë deri në dy javë. Ato kanë kapsollë elektrike dhe u duhet bateri për të shpërthyer.

Ndërkohë është bërë e ditur se ambasada amerikane në Kiev është mbyllur përkohësisht për shkak të, siç kanë thënë, marrjes së informatave për një sulm të mundshëm ajror me 20 nëntor.

E presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ka thënë se Ukraina do ta humb luftën nëse SHBA-të vendosin t'i shkurtojnë ndihmat ushtarake për vendin.

Pas ndryshimeve që i bëri Rusia dje në doktrinën e saj bërthamore, kanë reaguar e Shtetet e Bashkuara, duke thënë se nuk janë befasuar nga ky vendim. Sabrina Singh, zv/sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se Rusia, ndryshimin e kësaj doktrine e ka paralajmëruar tash e disa javë. Sa i përket doktrinës bërthamore të SHBA-s, ajo konsideron se nuk ka nevojë të bëjë ndryshime.

Sipas doktrinës së re të Rusisë, një sulm ndaj Rusisë nga një shtet jo-bërthamor, pra një shtet që nuk posedon armë bërthamore - nëse përkrahet nga një shtet bërthamor, do të trajtohet si sulm i përbashkët ndaj Rusisë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota