Një i vdekur dhe tre të lënduar nga rrëzimi i avionit në Lituani
Dardan Ramabaja / RTK
Të paktën një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar kur një aeroplan rrëzua pranë aeroportit Vilnius në Lituani në orët e para të së hënës.
Boeing 737, i operuar për DHL nga linja ajrore spanjolle e mallrave Swiftair, u rrëzua pranë një shtëpie teksa ishte në fazën përfundimtare të uljes, thanë autoritetet lokale.
Të 12 personat janë evakuuar në mënyrë të sigurtë nga një pronë afër vendit të përplasjes, njofton policia. Aeroplani u nis nga qendra e DHL-së në aeroportin e Leipzigut vetëm pas orës 03:00 sipas orës lokale dhe u rrëzua rreth një orë e gjysmë më vonë, sipas të dhënave nga faqja e internetit për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24.
Zjarrfikësit u panë duke luftuar tymin që vinte nga një ndërtesë 1.3 km (0.8 milje) në veri të pistës së aeroportit, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters. Shkaku i rrëzimit nuk dihet dhe autoritetet lituaneze kanë nisur një hetim.
DHL konfirmoi se ishte në pronësi të avionit dhe tha se kishte bërë një "ulje emergjente". Autoritetet thanë se nuk kanë asnjë të dhënë për momentin që sugjeron se ka pasur një shpërthim përpara rrëzimit.























