Gjykatësja federale pushon çështjen penale ndaj Trump-it
BKT
Rajoni dhe Bota

Gjykatësja federale pushon çështjen penale ndaj Trump-it

VOA

Një gjykatëse amerikane pushoi të hënën çështjen gjyqësore lidhur me akuzat ndaj Donald Trump-it për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, pas një kërkese të prokurorëve bazuar në politikën e Departamentit të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të një presidenti në detyrë.

Vendimi i gjykatëses, Tanya Chutkan, i jep fund përpjekjes federale për ta mbajtur Trump-in përgjegjës për përpjekjet e tij për të mbajtur pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020, duke kulmuar me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga një grup i mbështetësve të tij.

Vendimi pasoi kërkesën e prokurorit të Posaçëm Jack Smith, i cili ka mbikëqyrur rastin për zgjedhjet dhe atë për dokumentet sekret, për të pushuar të dyja çështjet. Trump është akuzuar se pas largimit nga detyra e Presidentit në 2021, ai ka mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumente sekrete.

Ky vendim është një fitore e madhe ligjore për presidentin e zgjedhur republikan, i cili fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe do të kthehet në detyrë më 20 janar.

Politika e Departamentit të Drejtësisë që cituan prokurorët daton në vitet 1970. Ajo thotë se ndjekja penale e një presidenti në detyrë do të përbënte shkelje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, duke minuar aftësinë e udhëheqësit të degës ekzekutive të vendit për të ushtruar funksionet e tij.

Prokurorët në një dosje në rastin e përpjekjes për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve thanë se politika e Departamentit të Drejtësisë kërkon që çështja të pushohet përpara se Trump-i të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

“Ky rezultat nuk bazohet në meritat apo forcën e çështjes kundër të pandehurit”, thuhet në dosjen e prokurorëve.

Prokurorët e çështjes së dokumenteve sekrete sinjalizuan se do të kërkojnë nga një gjykatë federale e apelit rikthimin e çështjes kundër dy bashkëpunëtorëve të Trump-it, të cilët ishin akuzuar për pengim të hetimit në fjalë.

Zëdhënësi i Trump-it, Steven Cheung, përshëndeti vendimin, duke e quajtur atë "një fitore të madhe për sundimin e ligjit".

Trump përballej me akuza penale në katër raste, dy të paraqitura nga prokurori Smith dhe dy në gjykatat shtetërore në Nju Jork dhe Xhorxhia. Ai u shpall fajtor në rastin e Nju Jorkut, ndërsa çështja në shtetin e Xhorxhias, e cila gjithashtu lidhet me përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, ka ngecur.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump kritikoi të hënën çështjet ligjore ndaj tij, duke thënë se ato ishin një "pikë e ulët në Historinë e vendit tonë".

Veprimet e tanishme të Smith-it, i cili u emërua në vitin 2022 nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland, janë shumë të ndryshme nga ato në kohën kur ai mori detyrën. Pas ngritjes së akuzave ndaj Trump-it në atë kohë, ai tha se bëhej fjalë për krime që kërcënonin integritetin e zgjedhjeve dhe sigurinë kombëtare të Shtetet e Bashkuara. Prokurorët pranuan se zgjedhja e një presidenti i cili përballej me çështje penale krijoi një problem të pashembullt për Departamentin e Drejtësisë.

Gjykatësja Chutkan la të hapur mundësinë që prokurorët të mund të të ngrenë sërish akuza ndaj Trump-it pas largimit të tij nga detyra, por prokurorët ka të ngjarë të përballen me sfidën e kalimit të një periudhe kaq të gjatë kohore nga shkeljet e dyshuara.

Donald Trump u deklarua i pafajshëm në gusht 2023 për katër akuza federale, duke përfshirë ato për komplot për të penguar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden.

Trump, i cili si president do të mbikëqyrë sërish Departamentin e Drejtësisë, pritej të urdhëronte pushimin e të dyja çështjeve penale ndaj tij, atë për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 dhe atë të mbajtjes së dokumenteve sekrete.

Donald Trump në maj u bë ish-presidenti i parë i shpallur fajtor për një krim pasi një juri në Nju Jork e shpalli atë fajtor për akuza penale në lidhje me mosdeklarimin e pagesës për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë për një marrëdhënie intime përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Shpallja e masës së dënimit të tij në lidhje me këtë rast është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Çështja penale kundër Trump-it në gjykatën e shtetit të Xhorxhias lidhur me zgjedhjet e vitit 2020 ka ngecur.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota