Parlamenti Britanik miraton projektligjin për lejimin e vdekjes së asistuar
BKT
Rajoni dhe Bota

Parlamenti Britanik miraton projektligjin për lejimin e vdekjes së asistuar

Bardhyl Bajrami/ RTK

Parlamenti britanik ka miratuar projektligjin i cili do të mundësojë vdekjen e asistuar. Përkrahësit, miratimin e projektligjit e kanë mirëpritur me lot e gëzim, ndërsa kundërshtarët me dëshpërim. Kjo është faza e parë dhe do të kalojë shumë kohë, shqyrtim parlamentar derisa ligji të hyjë në fuqi.

Deputetët e parlamentit britanik, me 330 vota për dhe 275 kundër kanë votuar në favor të projektligjit për legalizimin e vdekjes së asistuar apo vdekjes së ndihmuar në Angli dhe Uells.

Në mesin e atyre që kanë votuar për, ishte edhe kryeministri Keir Starmer dhe ish-kryeministri Rishi Sunak derisa liderja e re konservatore Kemi Badenoch dhe zv/kryeministrja Angela Rayner votuan kundër.

Miratimi i këtij projektligji është bërë pas një debati emocional 5 orësh gjatë së cilit debat, deputetët kanë ndarë përvoja të tyre personale derisa deputetët që ishin kundër kanë bërë thirrje për kujdes më të mirë deri në momentin e fundit të jetës.

Kjo është faza e parë e miratimit të këtij projektligji ndërkohë do të kalojnë muaj të tërë të shqyrtimit dhe miratimit parlamentar deri sa projektligji të hyjë në fuqi e të bëhet ligj.

Ndërkohë, përkrahësit e këtij projektligji të mbledhur në Westminster, ku ndodhet parlamenti, kanë reaguar me lot dhe gëzim ndërsa kundërshtarët, po ashtu të mbledhur aty, kanë reaguar me dëshpërim.

Aktualisht, sipas ligjit, njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar nuk u lejohet të kërkojnë ndihmë mjekësore për t’i dhënë fund jetës dhe se për pacient të caktuar kërkohet plotësimi I kushteve të veçanta për t’iu mundësuar diçka e tillë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota