Ukraina vendos sanksione ndaj 19 zyrtarëve gjeorgjianë
BKT
Rajoni dhe Bota

Ukraina vendos sanksione ndaj 19 zyrtarëve gjeorgjianë

A.B| RTKlive

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy vendosi sot sanksione ndaj 19 anëtarëve të qeverisë gjeorgjiane, përfshirë edhe kryeministrin.

"Sapo kam nënshkruar një dekret që i jep fuqi vendimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes për sanksionet", tha Zelenskyy gjatë një fjalimi me video, duke u shprehur se sanksionet në fjalë janë kundër pjesës së qeverisë gjeorgjiane e cila, siç pretendoi ai, "po ia dorëzon Gjeorgjinë (presidentit rus Vladimir) Putinit".

Presidenti ukrainas tha se ka vendosur sanksione ndaj 19 anëtarëve të qeverisë, përfshirë Bidzina Ivanishvilin, kryetar nderi i partisë në pushtet "Ëndrra Gjeorgjiane". Dekreti i publikuar në faqen e internetit të Zyrës presidenciale të Ukrainës përfshin edhe kryeministrin Irakli Kobakhidze.

"Kjo është mënyra që funksionon në çështjet ndërkombëtare: nëse nuk përgjigjeni në kohë ose nuk reagoni me parime, atëherë humben dekada dhe vendeve u rrëmbehet liria", tha Zelenskyy.

Njoftimi i Zelenskyyt erdhi një ditë pasi ai tha se Kievi po zhvillon "përgjigje ligjore" ndaj zhvillimeve në Gjeorgji si dhe po punon me partnerët evropianë dhe të tjerë të Ukrainës për veprime konkrete.

Ai akuzoi autoritetet gjeorgjiane se po e shtyjnë vendin drejt "varësisë së qartë nga Rusia". Autoritetet gjeorgjiane nuk i janë përgjigjur ende sanksioneve të Ukrainës.

Sanksionet erdhën derisa protestat pro BE-së po vazhdojnë në gjithë vendin, përfshirë kryeqytetin Tbilisi, kundër njoftimit të Kobakhidzes më 28 nëntor se Gjeorgjia do të pezullojë bisedimet e pranimit në BE deri në vitin 2028, raporton AA.

Që nga fillimi i protestave, më shumë se 290 persona janë arrestuar dhe mbi 150 policë janë plagosur, sipas Ministrisë së Brendshme.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota