HRW akuzon Izraelin për gjenocid në Gaza
Hanife Osmani / RTK
Human Rights Watch kanë akuzuar Izraelin për kryerjen e akteve të gjenocidit në Gaza për shkak të pengimit të qëllimshëm të qasjes së popullsisë palestineze ndaj ujit të mjaftueshëm për mbijetesë.
Organizata ka raportuar se veprimet e Izraelit, përfshirë dëmtimin e infrastrukturës së ujit dhe bllokimin e materialeve për riparim, kanë shkaktuar mijëra vdekje, duke e cilësuar këtë si një krim kundër njerëzimit dhe akt të shfarosjes.
Në një raport prej 179 faqesh, vëzhguesit për të drejtat e njeriut theksuan se që nga tetori 2023, Izraeli ka shkatërruar qëllimisht panele diellore që fuqizonin impiantet e trajtimit të ujit, rezervuarë, dhe depo për pjesë këmbimi, ndërsa ka ndaluar furnizimin me karburant për gjeneratorët.
Gjithashtu, raporti akuzon se janë sulmuar punëtorët e riparimit dhe është penguar hyrja e materialeve të nevojshme në Gaza. HRW ka mbështetur këto pretendime në intervista me zyrtarë të autoritetit të ujit në Gaza, ekspertë sanitarë dhe punonjës shëndetësorë, si dhe në imazhe satelitore.
Izraeli i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar si “propagandë” dhe “gënjeshtra të qëllimshme” Nga HRW.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit deklaroi se vendi ka siguruar furnizim të vazhdueshëm me ujë dhe ndihma humanitare në Gaza, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme të Hamasit.
Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) po shqyrton një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut për akuzat ndaj Izraelit për gjenocid.























