Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar
BKT
Rajoni dhe Bota

Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar

Bardhyl Bajrami /RTK

Një 19 vjeçar ka sulmuar me thikë mësimdhënësit dhe nxënësit në një shkollë fillore të Zagrebit. Një fëmijë 7 vjeç ka humbur jetën ndërsa një mësimdhënëse është në gjendje kritike. Nuk dihen motivet e sulmit ndërsa nesër është shpallur ditë zie.

Një nxënës 7 vjeçar ka humbur jetën, një mësimdhënës dhe disa nxënës tjerë kanë pësuar lëndime pas një sulmi me mjet të mprehtë të një 19 vjeçari në një shkollë fillore në Zagreb të Kroacisë.

Davor Bozhinoviq, ministri i punëve të brendshme të Kroacisë ka njoftuar se sulmuesi është arrestuar 10 minuta pas kryerjes së krimit ndërsa ka thënë se ai është kapur para se të kryente vetëvrasje.

Bozhinoviq ka thënë se i dyshuari, ish-nxënës i kësaj shkolle, pasi ka kryer sulmin ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe është ngujuar në një qendër mjekësore dhe ka nisë ta lëndojë veten me thikë.

Sulmuesi fillimisht kishte hyrë në mësonjëtoren ku ishin nxënësit e klasës së parë e më pas thuhet se ka vazhduar në korridor.

Sipas ministrisë së shëndetësisë, dy të rritur dhe pesë fëmijë ndodhen në spital për shkak të lëndimeve të marra. Jozyrtarisht mësohet se mësimdhënësja ndodhet në gjendje kritike.

Andrej Plenkoviq, Kryeministri kroat ka thënë të jetë tmerruar nga ngjarja në Shkollën Fillore “Preçko”. U shpreh ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta prindërve të fëmijëve të lënduar, tha Plenkoviq.

Kryeministri kroat ka thënë se publiku do të informohet sapo të grumbullohen informatat e detajuara ndërsa 21 dhjetorin e ka shpallur ditë zie në vend.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota