Zjarret shkatërruese në Los Angelos
Hanife Oamani|RTK
Pesë viktima janë konfirmuar deri më tani si pasojë e zjarreve shkatërruese që kanë përfshirë Los Angeles-in dhe rrethinat e tij, duke e kthyer këtë situatë në një nga më tragjiket në historinë e qytetit.
Mbi 137,000 banorë janë evakuuar ndërsa shtëpi, monumente dhe komunitete të tëra po shkatërrohen nga flakët.
Zjarri në kodrat e Hollywood-it, i cili filloi mbrëmjen e së mërkurës, ka përparuar me një shpejtësi alarmante. Aktualisht, ato kanë mbuluar 43 hektarë tokë. Banorët me kafshë shtëpiake po përballen me sfida për strehimin e tyre, ndërsa strehët lokale po mbushen me kafshë të vogla dhe të mëdha.
Nga pesë zjarret aktive, dy më të mëdhenjtë janë ‘Palisades’, që ka djegur mbi 17,200 hektarë,dhe ‘Eaton’, me më shumë se 10,600 hektarë tokë të djegur. Zjarrfikësit po luftojnë me burime të kufizuara dhe janë detyruar të përdorin ujin nga pishina dhe pellgje për të luftuar flakët.
Zjarret janë nxitur nga erërat e fuqishme të cilat kanë arritur deri në 137 km/h. Megjithatë, kritika të shumta janë drejtuar edhe ndaj autoriteteve lokale. Kryetarja e bashkisë së Los Angeles-it, Karen Bass, përballet me akuza për mungesën e burimeve të nevojshme për shuarjen e tyre gjatë shpërthimit të zjarreve dhe për shkurtimet në buxhetin e zjarrfikësve vitin e kaluar.























