Kuvendi maqedonas shqyrton interpelancat kundër Dautit dhe 4 ministrave
Besnik Osmani/RTK-Shkup
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut po shqyrton interpelancat kundër katër ministrave dhe deputetes Ilire Dauti.
E para në rend të ditës ishte interpelanca e dorëzuar nga “E Majta maqedonase” kundër kryetares së Komisionit për Punë Sociale, Ilire Dauti, e cila në seancat e komisionit kishte bllokuar ligjin për “branitellat”.
"Ajo, para se të ketë të bëjë me mua, pra kjo interpelancë, ka të bëjë me të gjithë ju, me të gjithë ne pa dallim. Është test mbi demokracinë dhe shtyllat bazë të saj, pra lirinë dhe barazinë që unë i dua dhe ju ftoj që t’i doni të gjithë. Shkarkimi im, si do të që të jetë epilogu, nuk zgjidh këtë problematikë," deklaroi Ilire Dauti, deputete e Frontit Evropian.
Interpelancën ndaj deputetes Dauti nuk e mbështesin as deputetët e koalicionit VLEN. Grupi parlamentar i LSDM-së njoftoi se nuk do t’i mbështesë interpelancat dhe braktisi seancën.
“Më duhet të them se nuk do ta mbështesim as interpelancën për Ilire Dautin, sepse konsiderojmë se faji nuk qëndron te ajo sa i përket mos caktimit të seancës. Këtu fajin e ka vetëm një person, ai është kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili ka standarde të dyfishta për sjellje të vendimeve të tilla."
Në orët e mbrëmjes vazhdoi debati rreth interpelancës së propozuar nga Fronti Evropian për pesë zyrtarët e Qeverisë, mes të cilëve edhe për zv.kryeministrin Izet Mexhiti. Gjatë votimit, shumica parlamentare do të votojë kundër kësaj interpelance.























