Vuçiq për sanksionet amerikane ndaj NIS: Kërkohet largimi i kapitalit rus
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se sanksionet amerikane ndaj Naftës Industrisë së Serbisë (NIS) janë pjesë e një goditjeje të gjithanshme ndaj kompanive ruse dhe firmave të lidhura, përfshirë NIS. Sipas tij, kërkohet largimi i kapitalit rus nga NIS deri më 25 shkurt.
"Është një nga sanksionet më të rënda që godasin një kompani në Serbi," kështu e njoftoi presidenti Vuçiq qytetarët për vendimin e SHBA-ve për të vendosur sanksione ndaj NIS për shkak të pronësisë ruse.
Vuçiq tha se kërkohet largimi i plotë i kapitalit dhe interesave ruse nga NIS. Ai theksoi se Serbia do të reagojë seriozisht dhe përgjegjshëm, pa panik dhe pa vendime të nxituara, dhe se ka një afat prej 45 ditësh.
"Kompania do të mund të vazhdojë aktivitetet e saj, por plani i transformimit të pronësisë duhet të fillojë menjëherë dhe duhet të miratohet nga SHBA. Për të gjitha operacionet, do të kemi 45 ditë, deri më 25 shkurt. Deri atëherë, duhet të përfundojmë gjithçka me Rusinë. Kemi mundësi deri më 12 mars vetëm për të shtyrë transaksionet financiare, por kjo gjithashtu duhet të miratohet nga Ministria e Financave të SHBA," tha presidenti i Serbisë.
Siç tha ai, Serbia nuk ka kontribuar në këto sanksione. "Nuk jemi përzier në asnjë mënyrë në konfliktet e mëdha, në konfliktin global. Ne e kemi ruajtur veten nga kjo, jemi larguar nga gjithçka, nuk kemi qëndruar në hije për askënd. Sot jemi përballë sanksioneve të rënda dhe serioze."
Vuçiq theksoi se sanksionet nuk janë të drejtuara vetëm ndaj NIS-it, por janë një goditje ndaj kompanive ruse dhe firmave të lidhura, si Rafineria, Petrohemia dhe sisteme të tjera të mëdha. Kompanitë shtetërore ruse Gazprom Neft dhe Gazprom që nga viti 2008 kanë një shumicë aksionesh në NIS, prej 56.15%, ndërsa Serbia ka 29.87% të aksioneve.
Autoritetet amerikane kanë përditësuar Urdhërin Ekzekutiv që lidhet me sektorin energjetik të Federatës Ruse. Sipas këtij vendimi, NIS është në rrezik të sanksioneve sekondarë për shkak të transaksioneve me Gazprom Neft, pronarin shumicë.
Vuçiq njoftoi se Serbia do të shfrytëzojë mundësinë e konsultimeve me SHBA dhe do të kërkojë nga administrata e re amerikane të rishikojë këtë vendim dhe të përpiqet të sigurojë kushte më lehtësuese.
"Na mbetet që sonte dhe nesër në mëngjes, në një takim me zotin Verma, O’Brajan dhe të tjerë, të jenë këtu me mua edhe presidenti i qeverisë Milosh Vuçeviq dhe ministrat kryesorë të qeverisë së Serbisë, pasi së bashku dëshirojmë të marrim mesazhin e amerikanëve për këtë çështje," tha presidenti serb. Ai theksoi se pas kësaj do të ketë biseda edhe me presidentin rus Vladimir Putin.























