Qytetarët në Kroaci kundër çmimeve të larta, dyqanet bosh
BKT
Foto: Jure Miskovic/CROPIX
Rajoni dhe Bota

Qytetarët në Kroaci kundër çmimeve të larta, dyqanet bosh

Sh.Ç/RTKlive

Shitjet në Kroaci sot kanë rënë pas një bojkoti mbarëkombëtar të blerjeve, në shenjë proteste për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe inflacionit të lartë në këtë shtet ballkanik, treguan shifrat zyrtare.

Bojkoti që u nxit nga grupet e konsumatorëve, synoi rritjen e presionit ndaj shitësve me pakicë që ata i fajësojnë për rritjen e inflacionit.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore në Koraci në bazë të sistemit të fiskalizimit, numri i faturave deri në orën 16 është më i ulët për 43 për qind, ndërsa shuma e faturave për 50 për qind krahasuar me të premten e javës së kaluar.

Nisma e bojkotit ka nisur me mesazhe që janë shpërndarë në rrjetet sociale ditët e fundit.

Rrjetet e shitjes me pakicë nuk kanë dashur të komentojnë për bojkotin e sotëm të dyqaneve, por pohojnë se përkundër ambientit sfidues të biznesit, po përpiqen t'i përshtaten nevojave dhe mundësive të klientëve me veprime të vazhdueshme, raporton transmetuesi publik i Koracisë (HRT).

Sipas HRT-së, nga rrjeti i shitjes me pakicë thanë se për momentin nuk duan të komentojnë situatën dhe se për hapat e ardhshëm do të vendosin kur të arrijnë në konkluzione konkrete.

Megjithatë, ata theksojnë se kuptojnë shqetësimet e konsumatorëve për situatën aktuale ekonomike, e cila, siç e përshkruajnë ata, është “komplekse dhe kërkon të menduarit nga këndvështrime të shumëfishta”.

Inflacioni, thonë ata, është i pranishëm pothuajse në të gjitha pjesët e jetës së përditshme dhe në të gjithë zinxhirin e furnizimit, i cili funksionon si një ekosistem i ndërlidhur.

Ata theksojnë se pavarësisht mjedisit sfidues të biznesit, ata përpiqen t'u përshtaten nevojave dhe mundësive të klientëve përmes promovimeve të vazhdueshme dhe programeve të besnikërisë. Kështu sot, si zakonisht, kryejnë të gjitha aktivitetet e rregullta dhe të planifikuara më parë.

Ministri i Ekonomisë, Ante Shushnjar tha se bojkoti i sotëm i dyqaneve është momenti kyç kur të gjithë do ta kuptojnë fuqinë e konsumatorëve dhe kur do të fillojë të rregullohet tregu.

Ai komentoi listën e produkteve me çmime të mbrojtura dhe aksionin qytetar për bojkotimin e dyqaneve, duke u shprehur i kënaqur me suksesin e aksionit pasi që sot dyqanet janë bosh. Ai deklaroi se vetëdija për fuqinë e konsumatorëve duhet të vazhdojë.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq theksoi se bojkoti i sotëm i dyqaneve është një mesazh i rëndësishëm dhe i artikuluar nga qytetarët që do të merret parasysh.

“Ky është një mesazh i rëndësishëm dhe i artikuluar për qytetarët që të monitorojnë dhe krahasojnë çmimet dhe të konsiderojnë se disa nga këto çmime janë të papranueshme në lidhje me produkte të ngjashme apo të njëjta atje, ku në kohën e sotme të përparimit teknologjik ata mund të krahasojnë çmimet vetë me ato në vende të tjera pa probleme të mëdha. Mesazhi i qytetarëve është i rëndësishëm dhe ai do të merret parasysh gjatë përcaktimit të masave kufitare administrative të çmimeve për produkte të caktuara, të cilat qeveria do t'i miratojë javën e ardhshme, tha Plenkoviq, raportojnë mediat kroate.

Sipas tij, qeveria ka mbrojtur standardin e qytetarëve nga çmimet e larta me një sërë masash, disa prej të cilave janë ulja e tarifave të caktuara të TVSH-së, kufizimi i çmimeve të produkteve nga shporta e konsumit dhe subvencionimi i çmimeve të energjisë. Për javën e ardhshme ai paralajmëroi publikimin e listës së përditësuar të produkteve me çmime të kufizuara. Ai kujtoi nismën e qeverisë, pra bisedimet me tregtarët, shpërndarësit, prodhuesit dhe thirrjen për “sjellje të përgjegjshme ndaj qytetarëve”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota