Forcat italiane të rendit arrestuan mbi 130 mafiozë në Palermo
Luan Qorraj / RTK
Zyrtarët në Itali kanë njoftuar se forcat e rendit kanë arrestuar rreth 130 persona gjatë një operacioni të madh kundër mafisë, i cili u zhvillua në Palermo.
Autoritetet italiane kanë thënë se forcat e rendit në Palermo kanë arrestuar rreth 130 persona të ndërlidhur me krimin e organizuar apo mafien siciliane.
Gjithashtu është njoftuar se janë lëshuar edhe 33 urdhër-arreste të tjera të cilat kanë të bëjnë me individ të cilët tanimë gjinden në burgjet italiane.
Besohet se në mesin e tyre janë edhe disa krerë të organizatës të cilët kanë vazhduar të udhëheqin operacionet nga burgu.
Sipas raporteve, të arrestuarit kanë qenë të përfshirë në një numër të madh atë aktiviteteve ilegale, mes tjerash edhe për trafikim të narkotikëve, zhvatje, tentim vrasje, posedim ilegal të armeve dhe krime të tjera.
Sipas hetuesve, edhe pse Mafia siciliane ishte dobësuar, gjatë viteve të kaluara kjo organizatë u rikthye fuqishëm në Palermo ku degët e ndryshme të kësaj organizate kanë marrë kontrollin e shumë aktiviteteve ilegale.
Zyrtarët në Romë thanë se ky operacion është vetëm shenjë që aktivitetet kundër mafies nuk kanë ndaluar dhe se nuk do të ndalojnë as në të ardhmin dhe paralajmëruan mundësinë e arrestimeve të reja.























