Protesta në Kragujevc: Homazh për viktimat dhe kërkesë për përgjegjësi
BKT
Rajoni dhe Bota

Protesta në Kragujevc: Homazh për viktimat dhe kërkesë për përgjegjësi

Anamari Repiq, RTK/Kragujevc

Presim ndryshime dhe përmbushjen e kërkesave tona, ishte mesazhi i mijëra studentet dhe qytetare në protestën sot në Kragujevc duke shënuar Ditën e Shtetësisë, dhe duke nderuar 15 viktimat e tragjedisë në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Dita e Shtetësisë së Serbisë po shënohet me një protestë masive në Kragujevc, ish-kryeqytetin historik e Serbisë, ku studentë dhe qytetarë kanë dalë në rrugë për të kërkuar përgjegjësi institucionale.

Protesta është organizuar si homazh për viktimat e tragjedisë në Novi Sad dhe si thirrje për ndryshime në sistem.

Në bulevardin kryesor të qytetit është mbajtur një marshim protestues, ku pjesëmarrësit mbanin flamuj dhe pankarta, ndërsa fishkëllimat dhe zhurmat e vuvuzelave dominuan atmosferën.

Studentët theksojnë se nuk do të ndalen derisa të shohin hapa konkretë nga institucionet.

"Jam krenare për qytetin tim që kemi arritur të organizojmë diçka të tillë. Presim ndryshime, një të ardhme më të mirë dhe përmbushjen e kërkesave tona", tha një studente. 

"Dua të kthehemi sa më shpejt në studime, por vetëm kur të respektohen të drejtat e qytetarëve dhe studentëve dhe kur institucionet të mbajnë përgjegjësi", shtoi një student tjetër. 

Që nga mëngjesi, rruga më e frekuentuar e Kragujevcit është e bllokuar. Ne qytet kanë ardhur studentë nga e gjithë Serbia, disa duke ecur, ndërsa të tjerë kanë mbërritur me biçikleta apo duke vrapuar një maratonë. Protestës i janë bashkuar qytetarë, figura publike, arsimtarë, duke e bërë këtë një nga protestat më të mëdha kundër qeverisë aktuale.

Përgjatë dy kilometrave të bllokuar të bulevardit dhe rrugët kryesor janë vendosur pika ushqimore, qendra mjekësore dhe tualete mobile, ndërsa banorët e Kragujevcit kanë ofruar mbështetje duke përgatitur ushqime për protestuesit.

Përveç studentëve, në protestë po marrin pjesë edhe qytetarë nga sektorë të ndryshëm, duke shprehur solidaritetin e tyre.

"Ne nga komuniteti IT jemi këtu për t’i mbështetur kërkesat e studentëve dhe ata që besojnë në këtë kauzë", tha një qytetar. 

"Këto ditë po tregojmë sa shumë na bashkojnë dashuria, solidariteti dhe respekti i ndërsjellë", shtoi një qytetare. 

"Askush nuk duhet të na gënjejë. Ky popull meriton një udhëheqje që nuk e mashtron", theksoi një tjetër protestues. 

Bllokada protestuese në Kragujevc po zgjat 15 orë, si një homazh simbolik për 15 viktimat e tragjedisë në Novi Sad.

Siç deklarojnë studentët, protestat do të vazhdojnë derisa institucionet të mbajnë përgjegjësi.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota