Juventus fiton kryendeshjen e Serie A
Uran Krasniqi / RTKLive
Juventus ka triumfuar në kryendeshjen e Javës së njëzet e pestë të Serie A, duke mposhtur Inter me rezultat minimal 1-0 në "Allianz Stadium".
Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave këtë sezon ka qenë një spektakël golash, duke përfunduar 4-4, por kësaj here, për shkak të mbrojtjeve të forta, ka qenë një përballje më e kujdesshme.
Interi e ka nisur më mirë dhe ka krijuar rastin e parë të madh me Denzel Dumfries, i cili nuk ka arritur ta konkretizojë një asist të Lautaro Martínez. Më herët, Mehdi Taremi ka tentuar me një roveshatë, por Michele Di Gregorio e ka pritur. Juventus ka reaguar me dy goditje nga Nicolas Gonzalez dhe Francisco Conceicao, por Yann Sommer i ka ndalur të dyja tentativat.
Pavarësisht dominimit të Inter, rastet më të rrezikshme i ka krijuar Juventus. Randal Kolo Muani i është afruar golit, por gjuajtja e tij është devijuar nga Alessandro Bastoni. Nga ana tjetër, Lautaro Martinez e ka humbur një mundësi të artë, duke goditur mbi traversë pas një pasimi të Dumfries, i cili ka vazhduar të jetë lojtari më i rrezikshëm i Inter dhe në fund të pjesës së parë ka goditur shtyllën me një goditje të fortë.
Në pjesën e dytë, të dy trajnerët kanë bërë ndryshime taktike që e kanë bërë ndeshjen më të kujdesshme, me pak raste në minutat e para. Simone Inzaghi ka provuar të ndryshojë rrjedhën e lojës me tri zëvendësime, duke futur në fushë Marcus Thuram, i cili menjëherë ka asistuar për Dumfries, por ky i fundit është ndalur nga Di Gregorio dhe shtylla. Pak minuta më vonë, Juventus e ka gjetur rrugën e rrjetës me Conceicao, i cili ka përfituar nga një aksion i Kolo Muani, që ka dribluar mbrojtjen dhe ka asistuar për portugezin.
Inter ka vazhduar ta dominojë takimin, por nuk ia ka arritur të krijojë raste, ndërsa mbrojtësi Dumfries e ka shmangue një gol të sigurt duke larguar nga vija një gjuajtje të Teun Koopmeiners. Me këtë humbje, Inter ka dështuar ta kapë kryesimin e Serie A, duke mbetur pas Napoli, ndërsa Juventus ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në shtëpi dhe gjendet në vendin e katërt.























