Takimi SHBA – Rusi: Diskutohet për përfundimin e luftës në Ukrainë
BKT
Rajoni dhe Bota

Takimi SHBA – Rusi: Diskutohet për përfundimin e luftës në Ukrainë

Luan Qoraj / RTK

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kanë përfunduar bisedimet në Riad, në të cilat u diskutua rreth mundësisë së ndalimit të luftës në Ukrainë.

Menjëherë pas takimit, Sekretari Amerikan i Shtetit, Rubio, tha se dy palët kanë treguar gatishmëri për të biseduar dhe shtoi se Moska dhe Uashingtoni janë pajtuar që të emërojnë ekipe, të cilat do të vazhdojnë negociatat, të cilat duhet të sjellin deri në fund të luftës në Ukrainë.

Njëkohësisht, ministri i Jashtëm rus, Lavrov, shtoi se përveç marrëveshjes për krijimin e ekipeve negociuese, SHBA-ja dhe Rusia arritën edhe dy marrëveshje të rëndësishme.

Njëra lidhet me rivendosjen e ambasadorëve dhe largimin e të gjitha pengesave diplomatike mes dy vendeve, si dhe marrëveshja për krijimin e kushteve për rinisjen e bashkëpunimit të plotë në të gjitha sferat.

Por takimi u kritikua nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili, duke qëndruar në Ankara të Turqisë, tha se delegatët amerikanë dhe rusë po negociojnë për Ukrainën, pa prezencën e Ukrainës.

Zelensky tha gjithashtu se ai dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kanë biseduar në detaje rreth proceseve globale që mund të çojnë në fundin e luftës dhe shtoi se gjëja më e rëndësishme është se asnjë negociatë për fundin e luftës të mos zhvillohet pas shpinës së palëve të përfshira në luftë.

Erdogan, nga ana e tij, edhe një herë konfirmoi përkrahjen turke për Ukrainën dhe ofroi vendin e tij si nikoqir të bisedave të ardhshme që do të përfshijnë Rusinë, Ukrainën dhe SHBA-të.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota