Gjermani, Hanau përkujton viktimat e sulmit më 2020
BKT
Foto: AFP/Getty Images
Rajoni dhe Bota

Gjermani, Hanau përkujton viktimat e sulmit më 2020

DW

Në Hanau është përkujtuar seria e vrasjeve me motive raciste të ndodhura pesë vjet më parë. Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, u ka bërë thirrje autoriteteve dhe politikës që të veprojnë në mënyrë më të fuqishme kundër ekstremizmit dhe racizmit.

Pesë vjet më parë, një 34-vjeçar gjerman doli i armatosur në rrugët e Hanaut, në jugperëndim të Gjermanisë. Ai qëlloi për vdekje nëntë persona – për motive raciste. Më pas, ai vrau edhe nënën e tij dhe veten. Me një sërë ceremonish, qyteti i Hanaut, në landin e Hesenit, përkujton këtë të mërkurë (19.02.2025) viktimat e dhunës me motive ksenofobike.

Krahas të afërmve të viktimave, në ceremoninë komemorative në Congress Park Hanau mori fjalën edhe presidenti Frank-Walter Steinmeier. Ai bëri thirrje kundër racizmit, ekstremizmit të djathtë, islamizmit dhe çdo forme tjetër të armiqësisë ndaj njeriut. "Është në dorën tonë të kujdesemi çdo ditë dhe vazhdimisht për një bashkëjetesë të mirë në vendin tonë. Ky është mesazhi që duhet të përçojmë sot këtu nga Hanau", tha Steinmeier.

Steinmeier: "Sulm ndaj shoqërisë dhe demokracisë"

Dorasi atëherë nuk ka pasur në shënjestër të gjithë qytetarët, por vepra e tij ka goditur të gjithë shoqërinë, nënvizoi presidenti. Vrasjet me motiv ekstremizmin e djathtë dhe racizmin në Hanau "ishin një sulm ndaj shoqërisë sonë të hapur dhe demokracisë liberale – pikërisht ashtu si edhe sulmet me motive islamike të muajve të fundit", tha Steinmeier.

Të martën në mbrëmje (18.02.2025), kancelari Olaf Scholz në këtë përvjetor bëri thirrje për angazhim kundër urrejtjes, dhunës dhe racizmit: "Të mos lejojmë aspak hapësirë për urrejtjen ndaj njeriut", tha Scholz në Berlin. "Ne mund t'i kundërvohemi urrejtjes raciste, që ishte shkaku i vrasjeve në Hanau." Secili individ në jetën e përditshme mund të dëshmojë për më shumë humanizëm dhe më pak urrejtje. Mendoj se kjo do t'i bënte mirë Gjermanisë."

Presidenti Steinmeier u bëri thirrje në Hanau politikës dhe autoriteteve që të zbardhin sfondin e këtij akti, të nxjerrin në pah gabimet e tyre dhe të nxjerrin mësime. Ai tha se ndjen thellësisht keqardhje që disa nga të afërmit e viktimave pas atentatit kanë krijuar përshtypjen se u është dashur atyre që ta venë shtetin në lëvizje për zbardhjen e rastit. Besimi tek shteti "ka humbur". Steinmeier vlerësoi që parlamenti i landit të Hesenit, falë edhe këmbënguljes së të afërmve të viktimave, ka krijuar një komision hetimor parlamentar.

Paralajmërimi i së ngarkuarës kundër diskriminimit

E ngarkuara e federatës kundër diskriminimit, Ferda Ataman, nxorri në pah mungesën e përpjekjeve kundër racizmit në Gjermani. Shteti pas sulmit në Hanau nuk e bëri detyrën e tij, tha Ataman. "Numri i akteve penale të ekstremistëve të djathtë është më i lartë se kurrë, ndërsa mbrojtja nga diskriminimi nuk është përmirësuar aspak."

Në vend që të forcohet ndjenja e sigurisë së migrantëve dhe pasardhësve të tyre, ata po shpallen si problemi i sigurisë. Sipas Ataman, vërehet se diskriminimi është në rritje. Njerëzit thonë se po hasin në mobbing në vendin e punës, mjekët po i refuzojnë pacientët myslimanë si njerëz që "përdorin thikë" dhe mësuesit, kur i thërrasin nxënësit në tabelë, u thonë "terrorist i vogël". "Pesë vjet pas sulmit në Hanau, migrantët në Gjermani kanë më shumë frikë se asnjëherë më parë."

Qeveria e re duhet të japë një sinjal të qartë që nuk e toleron racizmin, bëri thirrje Ataman. Është urgjentisht i nevojshëm një plan aksioni kundër diskriminimit.

Motoja e veprimtarive përkujtimore në Hanau është "Përkujtojmë bashkë – për solidaritetin dhe të ardhmen".

Në mbrëmje, në të dyja vendgjarjet e sulmeve me viktima do të ketë ceremoni përkujtimore. Në sheshet Heumarkt dhe Kurt-Schumacher janë planifikuar roje nderi nga nisma "Initiative 19. Februar". Në emër të qytetit, të landit dhe të federatës, në varrezat në Hanau, Offenbach, si dhe në Bullgari, Rumani dhe në Turqi (prej nga kishin prejardhjen disa nga viktimat), është organizuar vendosja e kurorave.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota