Trump kërkon që Kievi të `zbusë` kritikat ndaj politikës amerikane
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump kërkon që Kievi të `zbusë` kritikat ndaj politikës amerikane

Hanife Osmani / RTK

Presidenti amerikan Donald Trump, kërkon që Ukraina t`i zbusë qëndrimet dhe t`i japë përparësi Rusisë. Ndërsa, Rusia paralajmëron se nuk do trupa paqeruajtëse të NATO-s në territorin ukrainas. E këta të fundit po e vënë në dyshim mbështetjen amerikane për Kievin.

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina po përballen me një krizë të re diplomatike, teksa administrata e presidentit Donald Trump kërkon që Kievi të “zbusë” kritikat ndaj politikës amerikane.

Këshilltari i sigurisë kombëtare Mike Waltz e ka bërë të qartë se mbështetja e mëtejshme e SHBA-së mund të varet nga qëndrimi i Ukrainës dhe nga pranimi i një marrëveshjeje për mineralet që po propozohet nga Uashingtoni. Kjo ndodh ndërkohë që Rusia ka rikonfirmuar qëndrimin e saj kundër vendosjes së trupave të NATO-s në Ukrainë.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Kievit u përshkallëzuan më tej pasi Trump e quajti Zelenskyn “diktator” dhe deklaroi se Rusia ka avantazh në negociatat për paqe, pasi ka pushtuar “shumë territor”.

Këto komente u pritën me reagime të ashpra nga demokratët dhe disa republikanë, të cilët theksuan se nuk mund të barazohet presidenti i Ukrainës me Vladimir Putinin. Megjithatë, shumica e republikanëve po tregohen të kujdesshëm në qëndrimet e tyre, duke theksuar dëshirën e Trump për paqe, por pa hyrë në detaje.

Ndërkohë, në terren, sulmet ruse kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në rajone si Nikopol, Kherson dhe Donetsk. Presidenti Zelensky po përpiqet të sigurojë mbështetjen e mëtejshme të SHBA-së, ndërsa i dërguari special amerikan Keith Kellogg është në Ukrainë për të mbajtur komunikimin mes dy vendeve.

Megjithatë, përfshirja e një zyrtari të nivelit më të ulët në bisedimet SHBA-Rusi ka ngritur pikëpyetje mbi angazhimin amerikan në negociatat e paqes.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota