Barcelona deklason Sociedad dhe ngjitet në krye të LaLiga
Uran Krasniqi/RTKLive
Barcelona ka shënuar një fitore bindëse 4-0 ndaj Real Sociedad, duke u ngjitur në krye të LaLiga.
Një karton i kuq për Aritz Elustondos në pjesën e parë e lënë Real Sociedad në disavantazh numerik, duke e hapur rrugën për dominimin katalanas.
Ndeshja ka nisur njësoj për të dyja skuadrat, ku të dy anët kanë krijuar raste të rrezikshme. Sociedad ka menduar se ka kaluar në epërsi pas një goli të Sergio Gomez, por VAR-i e ka anuluar atë për pozicion jashtë loje. Gjithashtu Barcelona ka pasur një mundësi të artë, por gjuajtja e Pedrit ka përfunduar mbi traversë.
Momenti vendimtar ka ardhur kur Elustondo e ka ndalur me faull Dani Olmo në një aksion të rrezikshëm, duke u ndëshkuar me karton të kuq. Me një lojtar më pak, Sociedad nuk ka mundur ta ndalte furinë e Barcelonës, që ka kaluar në avantazh me golin e Gerard Martín pas një asisti të Olmo. Pak minuta më vonë, një gjuajtje e Olmo, e devijuar nga Marc Casado, ka përfunduar në rrjetë, duke e çuar rezultatin në 2-0.
Në pjesën e dytë, Barcelona e ka vulosur fitoren me dy gola të shpejtë. Ronald Araujo ka shënuar pas një goditje me kokë të Robert Lewandowski, ndërsa më pas një goditje e tij është devijuar nga sulmuesi polak për të kompletuar shumën e madhe të golave.
Me këtë fitore, Barcelona e Hansi Flick vazhdon serinë e jashtëzakonshme prej pesëmbëdhjetë ndeshjesh pa humbje (dymbëdhjetë fitore, tri barazime) dhe, në renditjen e LaLiga, ngjitet një pikë mbi Atletico Madrid dhe tri mbi Real Madrid. Ndërkohë, Sociedad bie në vendin e nëntë.























