Dy të vdekur dhe disa të plagosur nga sulmi me veturë në Mannheim
Luan Qorraj / RTK
Autoritetet gjermane kanë thënë se së paku dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur, pasi që një person me veturë goditi turmën e kalimtarëve në Manheim. Policia ka njoftuar se e ka arrestuar ngasësin dhe ka shtuar se deri më tani nuk ka arsye të besohet se sulmi kishte motive politike.
Dëshmitarët e shumtë i kanë thënë medieve se automjeti, i cili goditi turmën, ishte duke lëvizur me shpejtësi të madhe dhe dukej se qëllimisht iu drejtua turmës.
Policia ka njoftuar se e ka arrestuar ngasësin e veturës por deri me tani nuk ka publikuar identitetin e tij të plotë, duke e përshkruar vetëm si "mashkull rreth të 40-tave i lindur në gjermani" dhe nuk ka komentuar rreth motiveve të mundshme të ngjarjes. Megjithatë ata shtuan se besojnë që rreziku ka kaluar dhe se ngasësi ishte duke vepruar vetëm.
Ky është vetëm sulmi i fundit në serinë e sulmeve me thika, dhe automjete, të cilat gjatë muajve të kaluar ndodhën në pjesë të ndryshme të Gjermanisë dhe të cilat kanë detyruar policinë të rris gjendjen e gatishmërisë, megjithatë natyre e këtyre sulmeve, si dhe fakti se ato nuk po kryhen nga organizata, por individ, e bëjnë parandalimin e tyre tejet të vështirë.























