Trump: Nuk kam diskutuar për ndalimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump: Nuk kam diskutuar për ndalimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën

Luan Qorraj / RTK

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ai nuk ka folur për pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën pas përplasjes të tij në zyrën ovale me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Trump thotë se do të shohim se çfarë do të ndodhë. Sipas tij çdo marrëveshje për paqen duhet të arrihet me Rusinë dhe Ukrainën, me pëlqim nga Evropa dhe SHBA.

Pas tensioneve diplomatike dhe përplasjes publike në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, presidenti amerikan, Donald Trump duket të ketë zbutur pak qëndrimin e tij rreth Ukrainës.

Presidenti amerikan, edhe një herë, kritikoi homologun e tij ukrainas për shkak të një deklarate në të cilën Zelensky tha se fundi i luftës me Rusinë është ende "shumë, shumë larg".  

Trump tha kjo është deklarata më e gabuar që Zelensky mund ta kishte bërë në këtë kohë dhe shtoi se "këtë isha duke e thënë- ky njeri nuk dëshiron të arrijë paqe përderisa e ka përkrahjen amerikane."

Megjithatë, Trump deklaroi se, përkundër përplasjeve me Zelenskyn, ai ende nuk ka biseduar rreth mundësisë së ndalimit të ndihmave ushtarake për Ukrainën dhe shtoi se ende ekziston mundësia e arritjes së marrëveshjes për eksploatimin e mineraleve të rralla nga Ukraina, marrëveshje e cila edhe i nxiti tensionet mes Kievit dhe Uashingtonit.

Trump paralajmëroi se të martën në mbrëmje do të japë informata të reja rreth marrëveshjes.

Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ende ka gjasa të mëdha se kjo marrëveshje do të arrihet dhe shtoi se Ukraina po vazhdon të punojë me SHBA-në dhe partnerët evropianë dhe se shpreson se SHBA do të vazhdojë ta përkrahin Ukrainën në rrugën e saj drejtë paqes.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota