‘Roma-Bilbao’, do të jetë spektakël futbolli’
F.Bytyqi/RTKLive
Sonte, në orën 21:00, Stadio Olimpico në Romë do të jetë arenë e një përballjeje mjaft interesante në 1/8 e finales së Europa League, ku Roma do të jetë mikpritëse e Athletic Bilbaos.
Kjo ndeshje, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK, premton të jetë një spektakël futbolli, duke sjellë përballë dy skuadra me ambicie të mëdha për të arritur finalen, e cila do të zhvillohet në Bilbao.
Trajneri i njohur kosovar Rafet Prekazi në emisionin që i dedikohet Europa League-s në RTK, ka thënë se dueli mes Romës dhe Bilbao-s do të dhurojë një ndeshje të fortë dhe cilësore.
Prekazi: Të dy skuadrat janë të përafërta me kualitet
“Pritet një spektakël. Këto dy skuadra janë të përafërta me kualitet. Roma ka një ngritje jashtëzakonisht të mirë, sidomos në ligën e Evropës, e këtë e ka dëshmuar duke eliminuar Porton”, ka thënë Prekazi.
“Pritet një ndeshje e balancuar. Atletico me punën që ka bërë në ligën e Spanjës, është në vendin e katërt, ku tregon kualitetin që ka. Do të thotë se do të jetë një lojë e balancuar, një lojë e bukur që është më rëndësi dhe se do të ketë edhe gola”, tha ai.
Dragusha: Vëllezërit Williams e bëjnë diferencën tek Atletico
Një ndeshje të fortë dhe joshës e mendon edhe Muhamet Dragusha, një tjetër trajner i futbollit tonë.
Ish-futbollisti i njohur kosovar thotë se vëllezërit Williams e bëjnë diferencën tek Athletic Bilbao.
“Vëllezërit Williams e bëjnë diferencën tek Atletico. Mund të presim një spektakël nga dy vëllezërit, por edhe nga Atletico pasi që kanë përvojën evropiane”, thotë Dragusha.
“Shqiptarët janë të lidhur me shumë më Romën. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe besoj se do të jetë një spektakël në këtë ndeshje”, ka pohuar ai.























