Trump pezullon tarifat ndaj Meksikës
Dardan Ramabaja /RTK
Presidenti amerikan Donald Trump, ka larguar sërish tarifat e sapo vendosura për Meksikën, ndërsa ka sinjale se të njëjtën gjë ai mund ta bëjë pjesërisht edhe me Kanadanë.
Donald Trump ka njoftuar se shumica e mallrave të importuara nga Meksika do të përjashtohen nga regjimi i tarifave tregtare për një muaj, vetëm disa ditë pas vendosjes së tyre.
Vendimi vjen pas një telefonate me homologen e tij meksikane Claudia Sheinbaum, që sipas sekretarit amerikan për tregti Howard Lutnick, një koncesion të ngjashëm për Kanadanë presidenti mund ta shpallë më vonë gjatë ditës.
“Ne po punojmë fort, së bashku, në kufi, si në aspektin e ndalimit të të huajve të paligjshëm që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe, po ashtu, në ndalimin e Fentanyl-it”, ka postuar Trump në ‘Truth Social’. Presidenti Trump befasoi tregjet financiare të mërkurën duke hequr dorë nga tarifat ndaj prodhuesve të makinave pas lutjeve të bosëve të industrisë motorike.
Shtëpia e Bardhë zbuloi më pas se pjesët që do të rrjedhin në SHBA nga Meksika dhe Kanadaja si pjesë e zinxhirit të furnizues të prodhimit nuk do të tarifohen për sa kohë që ato përputhen me një marrëveshje tregtare ekzistuese të arritur mes tri vendeve.
Udhëzimet e 'rregullave të origjinës' sipas marrëveshjes USMCA lejojnë që mallrat të lëvizin midis tre vendeve pa tarifa nëse ato kualifikohen me një përcaktim që janë bërë në Amerikën e Veriut. Sekretari amerikan i tregtisë, Howard Lutnick, ka deklaruar në CNBC se nëse koncesioni do të shtrihej në Kanada, atëherë më shumë se gjysma e vëllimeve të zakonshme të tregtisë ndërkufitare do të përjashtoheshin.
Sekretari Lutnick nënvizoi se ka shenja përparimi në mosmarrëveshjen e presidentit Trump me partnerët më të afërt tregtarë të Amerikës, duke thënë se secili kishte punuar shumë për të bërë përparim në trajtimin e importeve të Fentanyl - i cili fajësohet për krimin e lartë dhe vdekjet në komunitetet amerikane.
Sidoqoftë Lutnick shpjegoi se, siç qëndrojnë gjërat, afati do të zgjasë vetëm deri më 2 prill, kur administrata Trump planifikon të vendosë tarifa reciproke - mbi tarifat 25% që hynë në fuqi të martën. Nesë tarifat për pjesët e makinave zbatohen, konsumatorët amerikanë do të paguanin rreth 4,000 dollarë për blerjen e një automjeti të ri, sipas përllogaritjeve të industrisë.
Ndërsa kjo ende ka gjasë të ndryshojë deri më 2 prill, presidenti Trump gjendet nën presion të madh për të relaksuar përgjithmonë regjimin e tij tarifor, për shkak të reagimit të ashpër nga firmat amerikane dhe investitorët e tregut financiar, të cilët kanë frikë se tarifat janë vetë-shkatërruese.























