Protesta masive në Beograd
BKT
Rajoni dhe Bota

Protesta masive në Beograd

Anamari Repiq, RTK/Beograd

Sheshi përpara Kuvendit Kombëtar është i mbushur me qytetarë që janë mblidhur për protestën „15 për 15“. Turma njerëzish vazhdojnë të vijnë nga pjesë të ndryshme të Beogradit, ndërsa rrugët përreth Kuvendit janë të mbyllura dhe të mbushura me demonstrues.

Qytetarët kanë qenë duke ardhur për orë të tëra nga drejtime të tjera të qytetit. Studentët dhe qytetarët mbajnë flamuj të Serbisë, banderola të fakulteteve dhe pankarta me kërkesat e tyre. 

Beogradi sot është pa transport publik dhe në të gjithë qytetin mund të shihen grupe qytetarësh me flamuj, bilbila dhe pankarta që marshojnë drejt Kuvendit.

Kësaj proteste të madhe kundër qeverisë i janë bashkuar edhe qytetarë nga qytete të tjera, studentë nga Novi Sadi, Nishi, Kragujevci, si dhe punonjës të arsimit, punonjës të kulturës, motoçiklistë dhe bujq me traktorë.

Forca të shumta policore janë të pranishme në qendër të qytetit, përpara Parkut Pionir, ku janë vendosur barrikada me traktorë. Aty janë mbledhur përkrahësit e pushtetit të Aleksandar Vučić, duke e bërë këtë ngjarje me rrezik të lartë. Njësitë speciale të policisë, me pajisje të plota të ndërhyrjes, janë vendosur përpara Kuvendit dhe në rrugët përreth.

Në rrugët që çojnë drejt Kuvendit janë vendosur pika me ushqim dhe freskuese, ndërsa janë organizuar ekipe mjekësore për ndërhyrje urgjente. Kujdestarët studentorë drejtojnë qytetarët dhe motoçiklistët, duke siguruar që një pjesë e rrugës të mbetet e lirë për kalime emergjente.

Edhe sot, në orën 11:52, studentët organizuan 15 minuta heshtje për të nderuar viktimat e shembjes së mbulesës së stacionit të trenit. Studentët theksuan se bëjnë thirrje për një tubim paqësor dhe dinjitoz, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Ata gjithashtu theksuan se nuk do të lejojnë që protestat të shënohen nga incidente dhe dënuan ashpër çdo formë dhune.

Sipas planit të ri të protestës, janë vendosur dy skena, një përpara Kuvendit Kombëtar dhe tjetra në Sheshin Slavija. Programi përfshin leximin e kërkesave dhe fjalimet studentore duke filluar nga ora 17:00, e ndjekur nga performanca e "Korit të Bllokadës" në orën 18:00, dhe 15 minuta heshtje për 15 viktimat e shembjes së tendës duke filluar nga ora 19:00. 

Studentët kanë paralajmëruar një zhurmë të madhe prej njëzet minutash duke filluar nga ora 20:00, pas së cilës do të lexohen letrat e mbështetjes për punëtorët. Protesta është parashikuar të përfundojë në orën 21:00, po ashtu edhe pastrimi i hapësirës.

(12:25 ) Në Beograd kanë filluar tubimet e qytetarëve|Foto

Studentët mblidhen para fakulteteve të tyre përpara se të shkojnë në Parlamentin serb në Beograd. Pritet që atyre t`u bashkohen edhe grupe të tjera qytetarësh që vijnë nga pjesë të ndryshme të kryeqyteti serb.

Sot në orën 16:00 është paraparë një protestë e madhe para Kuvendit Popullor, por studentët njoftuan se po ndërrohet vendi i protestës për arsye sigurie dhe se do të jetë në 'Sllavija'.

Ndërkohë ka informacione se protesta do të mbahet edhe para Kuvendit, por se skena do të ngrihet edhe në 'Sllavijë'.

Një numër i madh qytetarësh kanë pritur mbrëmë nxënësit të cilët kanë ecur në këmbë, me biçikleta dhe kanë ardhur me transport nga vende të ndryshme të vendit.

Që nga mëngjesi i sotëm janë formuar autokolona me mjete nga qytetet e tjera, ndërsa janë anuluar disa shërbime me autobus.Studentët kanë ardhur nga Novi Sadi, Nishi, Kragujevaci dhe qytete të tjera, ndërsa në Beograd kanë mbërritur mbrëmë shumë qytetarë. Protestës pritet t'i bashkohen pedagogë, punonjës të kulturës, motoçiklistë, por edhe fermerë. 

Rrugët e Beogradit janë mbushur plot që nga mëngjesi i sotëm, dëgjohen sirenat e veturave, por disa rrugë janë të bllokuara.

Transporti urban nuk funksionon nga ora 9:00, gjë që e bën edhe më të vështirë lëvizjen në qendër të qytetit.Policia është e pranishme në qendër, veçanërisht para parkut 'Pionirski', ku janë vendosur traktorë si barrikada, si dhe para Kuvendit.
 
Mbështetësit e qeverisë janë aty, prandaj ky tubim konsiderohet me rrezikshmëri të lartë.

Nuk mungojnë as grupet e huliganëve, por organizatat motorrike dhe personazhe publike kanë thënë se do të kujdesen për sigurinë e studentëve.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota