Rrëzohet aeroplani në Honduras, së paku 12 viktima
Luan Qorraj / RTK
Së paku 12 persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një aeroplani civil pranë brigjeve të Hondurasit në Amerikën Latine.
Autoritetet në Honduras kanë njoftuar se së paku 12 persona kanë humbur jetën, kur aeroplani, në të cilin gjendeshin, u rrëzua në oqean, në afërsinë e brigjeve të vendit. Sipas raporteve, deri me tani janë gjetur 5 të mbijetuar, përderisa kërkimet vazhdojnë për edhe dy persona të tjerë.
Zyrtarët kanë thënë se aeroplani, i operuar nga kompania lokale Lanhsa, u rrëzua në oqean, pak më shumë se një minutë pasi që u ngrit nga aeroporti i ishullit Roatan dhe shtuan se arsyet e rrëzimit ende nuk dihen. Megjithatë ata shtuan se tragjedia nuk ndodhi për shkak të motit i cili ishte i mirë .
Disa mediume lokale kanë raportuar se aeroplani ‘Jetstream 32’ , papritur e bëri një kthesë menjëherë pasi që u ngrit në ajër dhe u rrëzua në ujë. Sipas tyre hetimet tani përqendrohen në gabim njerëzor apo defekt teknik.
Autoritetet kanë thënë se do të bëjnë çmos për të përfunduar hetimet sa më shpejtë të jetë e mundur.























