Analistët e RTK-së: Sfidë e vështirë, Dardanët duhet të japin maksimumin
BKT
Sport

Analistët e RTK-së: Sfidë e vështirë, Dardanët duhet të japin maksimumin

F.B/RTKLive

Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte përballet me Islandën në ‘Fadil Vokrri’.

Dardanët dhe islandezët do të ballafaqohen në ndeshjen e parë të ‘Play-off-it’ në Ligën e Kombeve, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Tashmë gjithçka është gati për këtë sfidë tejet të rëndësishme për të dy kombëtaret në garën për promovim në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Analistët e RTK-së në emisionin ‘Dardanët’ janë shprehur optimist se kombëtarja jonë, sonte do të triumfojë ndaj Islandës.

Trajneri Ramiz Krasniqi mendon se kjo sfidë është e veçantë për Kosovën. Sipas tij, të gjithë lojtarët duhet të bëjnë më të mirën për të mposhtur Islandën.

Krasniqi: Është një ndeshje e veçantë

“Më të vërtetë është një ngjarje fantastike, një ngjarje e veçantë, ku të gjithë futbollistët duhet të japin maksimumin, sepse nuk vjen çdo herë një mundësi e tillë”, ka thënë Krasniqi.

“Është një ngjarje e veçantë, të gjithë lojtarët duhet të jenë të angazhuar dhe përqendruar maksimalisht. Të gjithë duhet të jenë të njëjtë, të angazhon maksimalisht, përqendrimi i tyre duhet të jetë 100 përqind. Ta shfrytëzojmë në maksimumin këtë moment. Ne i kemi disa mungesa, janë mungesa shumë të mëdha, mund të them se nuk mund të mbulohen lehtë, por gjithë ata që janë në 11-shen e parë duhet të japin maksimumin në lojë”, ka pohuar Krasniqi.

Gjonbalaj: Slogani i ‘Dardanëve’ është motivues për lojtarët  

Edhe Malsor Gjonbalaj, një tjetër trajner i futbollit tonë, mendon se kjo ndeshje për Kombëtaren tonë është e veçantë. Ai thotë se të gjithë lojtarët duhet të japin maksimumin për të arritur objektivin, fitoren. Gjonbalaj beson se sonte Kosova do të triumfojë ndaj Islandës.

“Slogani i tifozëve ‘Dardanëve’ është motivues për lojtarët. Është një ndeshje e karakterit të veçantë, ku synohet të kalohet në nivel më të lartë”, tha ai.

“Mendoj se do të ndikojë lojë taktike dhe fizike. Gjithë ndeshja duhet të karakterizohet më vrapime të mëdha. Ata nuk janë ekip superior, por janë ekip kompakt. Bankina e Islandës është e njëjtë më ata lojtarët që janë në fushë, janë të balancuar, janë të përgatitur për gjithë lojën. Harkimet dhe loja e shpjet mund të determinojë golin. Unë sonte pres fitoren, sepse kemi disa futbollistë që mund të bëjnë diferencën por nuk guxojmë të jemi euforik”, ka pohuar Gjonbalaj.

Ndeshja mes Kosovës dhe Islandës starton në orën 20:45.