SHBA zhvillon bisedime me Rusinë, vazhdojnë negociatat për armëpushim
M.M./ RTKlive
Negociatorët amerikanë zhvilluan të hënën bisedime me përfaqësues nga Rusia për të shtyrë përpara një armëpushim të pjesshëm të propozuar në luftën trevjeçare në Ukrainë.
Moska dhe Kievi janë angazhuar për të arritur armëpushimin e kufizuar 30-ditor, për të cilin u ra dakord në parim javën e kaluar.
Të dyja palët kanë vazhduar të sulmojnë njëra-tjetrën me dronë dhe raketa, pavarësisht marrëveshjes, raporton CNN.
Të hënën në mbrëmje, zyrtarët ukrainas thanë se një sulm raketor rus plagosi 88 persona në qytetin ukrainas të Sumy, ku në mesin e viktimave ishin fëmijë.
“Çdo ditë si kjo, të gjitha netët me raketa ruse dhe dronë kundër vendit tonë, çdo ditë e luftës do të thotë humbje, dhimbje dhe shkatërrim që Ukraina nuk i ka dashur kurrë”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në fjalimin e tij mbrëmë.
Një pikë e madhe pengese në negociata është se cilat objektiva janë jashtë orbitave për të goditur.
Negociatorët amerikanë fillimisht propozuan një armëpushim si për "energjinë ashtu edhe për infrastrukturën", megjithatë Kremlini ka deklaruar se marrëveshja duhet të mbulojë më ngushtë, thjesht, "infrastrukturën e energjisë".
Zelenskyy ka deklaruar se do të dëshironte gjithashtu të shihte të mbrojtura infrastrukturën si hekurudhat dhe portet.
Pas bisedimeve të hënën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se linjat territoriale dhe pronësia e mundshme amerikane e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën jugore ishin pjesë e diskutimeve.
“Disa njerëz thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të zotërojnë termocentralin, të punojmë në këtë mënyrë sepse ne kemi ekspertizën për ta vënë në funksion termocentralin”, tha Trump. "Diçka e tillë do të ishte e mirë për mua."
Termocentrali bërthamor - më i madhi në Evropë - ka qenë nën kontrollin rus që në ditët e para të pushtimit. Zelenskyy ka hedhur poshtë publikisht konceptin e firmave amerikane që zotërojnë termocentrale ukrainase.
SHBA pritet të lëvizë midis Rusisë dhe Ukrainës për të finalizuar detajet e armëpushimit dhe gjithashtu të negociojë masat për të siguruar një armëpushim të veçantë në Detin e Zi.
"Ne nuk jemi shumë larg nga kjo," tha i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff.
Ai pohoi gjithashtu se brenda katër rajoneve që Moska i ka pretenduar se janë nën kontrollin e saj - Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia - "shumica dërrmuese e njerëzve kanë treguar se duan të jenë nën sundimin rus", pavarësisht se referendumet e mbajtura në këto provinca u kritikuan si të paligjshme nga Perëndimi.
Grigory Karasin, kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus dhe pjesëmarrës në bisedimet e së hënës, i tha agjencisë së lajmeve Interfax se negociatat po vazhdonin në një "mënyrë kreative" dhe se delegacionet amerikane dhe ruse "kuptojnë pikëpamjet e njëri-tjetrit".
Zelenskyy të dielën në mbrëmje tha se "që nga 11 marsi, një propozim për një armëpushim të pakushtëzuar ka qenë në tryezë dhe këto sulme tashmë mund të ishin ndalur. Por është Rusia ajo që vazhdon gjithë këtë."
Të hënën, udhëheqësi ukrainas tha se përfaqësuesit e SHBA-së dhe Ukrainës do të takoheshin sërish, megjithëse nuk specifikoi se kur.























