Tërmeti në Mianmar, shkon mbi 1.600 numri i të vdekurve
Bardhyl Bajrami|RTK
Lajmet që vijnë nga Mianmari, i cili u godit dje nga një tërmet, tregojnë për më shumë se 1600 persona të vdekur deri tani ndërsa janë lënduar më shumë se 3400. Tërmeti është ndier edhe në Tajlandë, ku ka pasur edhe dëme. Deri tani në Tajlandë jetën e kanë humbur 10 persona e më shumë se 40 janë lënduar.
Nga tërmeti që goditi dje Mianmarin por që u ndie edhe në Tajlandë e në Kinë, deri tani, zyrtarisht jetën e kanë humbur 1644 persona. Epiqendra e tërmetit ishte afër qytetitt Mandalay. Operacione të shpëtimit janë duke u kryer edhe në Mianmar edhe në Tajlandë. Lidershipi ushtarak I Mianmarit ka thënë se deri tani nga tërmeti janë lënduar 3408 persona ndërsa 139 të tjerë po konsiderohen të zhdukur apo që me gjasë janë nën rrënojat e objekteve të shkatërruar.
Në Bangkok të Tajlandës, jetën e kanë humbur 10 persona, 42 janë lënduar ndërsa 78 po konsiderohen të zhdukur.
Në qytetin Mandalay, sipas autoriteteve, 90 persona se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese të shkatërruar ndërsa më shumë se 1500 shtëpi janë dëmtuar.
Ndërkohë që ndihmat e para humanitare në Mianmar kanë mbërritur nga India.
E derisa autoritetet në Mianmar kërkojnë për të mbijetuar, Forcat e Mbrojejtes Popullore kanë raportuar për sulme ajrore të kryera nga ushtria në afërsi të epiqendrës së tërmetit.
Një agjenci e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e cila po I heton shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë vend, ka paralajmëruar se ushtria po kryen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të vet.
Ushtria po përpiqet që ta shtyp kryengritjen e armatosur pro-demokratike gjithëkombëtare që po përpiqet e po lufton për ta larguar nga pushteti juntën ushtarake.























