Tarifat tronditin botën
BKT
Rajoni dhe Bota

Tarifat tronditin botën

Hanife Osmani / RTK

Presidenti Donald Trump ka shpallur një rend të ri tregtar. Tregjet po bien ndjeshëm, ndërsa bota po reagon me shqetësim, pasi ekonomia globale hyn në pasiguri.

Vendimi i presidentit Trump për të vendosur tarifa të reja mbi pothuajse të gjitha importet drejt SHBA-së ka hapur një kapitull të ri dhe shumë të debatueshëm në politikën tregtare globale.

Më 5 prill hyri në fuqi një tarifë bazë prej 10% për shumicën e importeve, duke shkaktuar valë reagimesh ndërkombëtare, shqetësim në tregje dhe debat të nxehtë ekonomik.

Sipas drejtorit të Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kevin Hassett, më shumë se 50 vende kontaktuan Shtëpinë e Bardhë menjëherë pas shpalljes së tarifave, duke kërkuar negociata për të shmangur përplasjen tregtare me SHBA-në. Disa shtete si Indonezia dhe Tajvani deklaruan se nuk do të vendosin tarifa hakmarrëse, ndërsa udhëheqës të tjerë, si presidenti izraelit Benjamin Netanyahu, u nisën drejt Uashingtonit për bisedime direkte me Trumpin.

Por efektet nuk ishin vetëm diplomatike. Tregjet financiare u tronditën rëndë. Të tre indekset kryesore amerikane ranë me më shumë se 5% të premten, duke shënuar javën më të keqe për bursën amerikane që nga viti 2020.

Një prej këtyre indekseve që është një tregues i performancës së 500 kompanive më të mëdha publike në SHBA, ka rënë 6% duke reflektuar shqetësime të thella në ekonomi. Ky indeks është si një ?termometër ekonomik? që tregon nëse investitorët janë optimistë apo të frikësuar për të ardhmen.

Megjithëkëtë rënie dramatike në tregje, këshilltarët e Trumpit bënë thirrje për qetësi. Peter Navarro, një nga zërat kryesorë të politikës tregtare të presidentit, deklaroi se amerikanët duhet “të mos panikosen” dhe të “rijnë ulur”, sepse sipas tij, pas kësaj do të vijë “boomi më i madh në bursë që kemi parë ndonjëherë”.

Në të njëjtën kohë, Rusia është e vetmja ndër vendet e mëdha që nuk është përfshirë në këtë regjim tarifor. Kjo është interpretuar nga Moska si një sinjal i rëndësishëm pozitiv në marrëdhëniet me SHBA-në. Megjithatë, Kevin Hassett theksoi se vendimi për të mos përfshirë Rusinë është taktik për të mos e përzier këtë politikë me negociatat mbi luftën në Ukrainë, por që “në të ardhmen edhe mund të përfshihet”.

Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer paralajmëroi se “bota siç e njihnim ka marrë fund” Dhe deklaroi se qeveria e tij është gati të ndërhyjë për të mbrojtur ekonominë britanike nga pasojat e rendit të ri tregtar amerikan. Presidenti Trump, nga ana e tij, vazhdon të mbrojë politikat e tij tarifore si mënyrë për të rritur fuqinë ekonomike të SHBA-së. Me thirrjen e tij “hang tough” “qëndroni të fortë” ai tregon se nuk ka ndërmend të tërhiqet, pavarësisht se lëkundjet ekonomike janë tashmë të ndjeshme në çdo nivel të sistemit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota