Trump përshkallëzon përplasjen tregtare, tarifa 125% ndaj Kinës
Shkumbin Osmanaj /RTKlive
Presidenti Donald Trump ka shpallur një pauzë 90-ditore për vendet që janë goditur nga tarifat më të larta të SHBA-ve, por lufta tregtare me Kinën ka eskaluar.
Në një ndryshim dramatik të politikës, vetëm disa orë pas hyrjes në fuqi të tarifave ndaj rreth 60 partnerëve tregtarë të SHBA-ve, Trump tha se po autorizonte një "tarifë reciproke të ulur prej 10%", ndërkohë që negociatat vazhdojnë.
Në të njëjtën kohë, ai rriti tarifat për mallrat nga Kina në 125%, duke akuzuar Pekinin për një "mungesë respekti" pas Kina vendosi një tarifë prej 84% për importet amerikane.
Kjo ndodhi një javë pas njoftimit të Trump për taksa importi mbi të gjitha mallrat që hyjnë në SHBA, në përmbysjen më të madhe të tregtisë ndërkombëtare në dekada.
"Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj Tregjeve Botërore, po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, me efekt të menjëhershëm", deklaroi Trump në rrjetet sociale.
"Shpresojmë se së shpejti, Kina do ta kuptojë se ditët kur e mashtronin SHBA-në dhe vendet e tjera nuk janë më të qëndrueshme apo të pranueshme", shtoi ai.
Pas vendimeve të fundit të Trump, tregjet përjetuan një pasiguri të madhe, duke shkaktuar një shitje masive që solli humbje triliona dollarëshe në mbarë botën, me shumë amerikanë që frikësoheshin nga rritja e çmimeve dhe disa analistë që parashikuan mundësinë e rritjes së shanseve për një recesion.
Ditën e mërkurë, para se Trump të njoftonte pezullimin e tarifave më të larta për mallrat nga vendet e tjera përveç Kinës, qeveria amerikane pa rritje të normës së interesit mbi borxhin e saj në 4.5% - niveli më i lartë që nga shkurti.
Vetë presidenti e shpjegoi kthesën e papritur duke thënë se njerëzit "ishin shqetësuar" dhe ishin "pak të frikësuar". Megjithatë, nervozizmi i vetë Trump mund të ketë luajtur gjithashtu një rol pasi qeveria amerikane kishte theksuar për ditë të tëra se tarifat nuk ishin diçka që mund të anulohej ose negociohej brenda ditëve ose javëve. Ekspertja amerikane e tregtisë, Laura von Daniels e Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë thotë se Trump duket se është vendosur nën presion të madh nga tregjet financiare, por edhe nga sipërmarrës individualë. Çmimet e aksioneve janë diçka që republikani e ndjek veçanërisht nga afër dhe që e prek.
Tregjet e aksioneve reaguan me një rritje të ndjeshme pas tërheqjes së tarifave doganore. Tregu i aksioneve, i matur nga indeksi i aksioneve S&P 500, ku përfshihen aksionet e 500 kompanive kryesore amerikane të tregtuara publikisht, rifitoi rreth katër trilion dollarë, ose 70 për qind të vlerës që kishte humbur në katër ditët e mëparshme të tregtimit. Komenti i Trump për këtë ishte, se “thonë se ishte dita më e madhe në historinë e financave”.
Shtetet e Bashkuara importuan mallra nga Kina me vlerë 439 miliardë dollarë vitin e kaluar. Telefonat e mençur, laptopët, bateritë litiumjon, lojërat dhe lodrat ishin ndër artikujt më të vlefshëm.Ndërsa eksportuan mallra në Kinë në vlerën e 144 miliardë dollarëve, prandaj deficiti i tyre tregtar arriti në 295 miliardë dollarë.
Ndërkohë, tarifat e Kinës ndaj mallrave amerikane do të hyjnë në fuqi më 10 prill.
“Nëse SHBA-ja këmbëngul në përshkallëzime të mëtejshme ekonomike dhe tregtare, Kina ka vullnet të fortë dhe mjete të bollshme për të marrë kundërmasa të nevojshme dhe për të luftuar deri në fund”, tha Ministria e Tregtisë së Kinës.
Tarifat do të vlejnë për produktet bujqësore amerikane, elektronikën dhe makineritë industriale – shtylla kyçe të ekonomisë eksportuese të SHBA-së.























