I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, takohet me Putinin, në Rusi
BKT
Rajoni dhe Bota

I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, takohet me Putinin, në Rusi

Flutura Bekqeli/ RTK

I dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff, zhvilloi bisedime me presidentin Vladimir Putin të premten në Shën Petersburg, në përpjekje për kërkimin e një marrëveshje paqeje për Ukrainën.

Presidenti rus, Vladimir Putin, u shfaq në televizionin shtetëror duke përshëndetur Witkoff-in në bibliotekën presidenciale të Shën Petersburgut, në fillim të negociatave, dhe agjencitë shtetërore të lajmeve më vonë thanë se bisedimet zgjatën më shumë se katër orë. Megjithatë, bisedimet vijnë në një kohë kur dialogu SHBA-Rusi, që synon arritjen e një armëpushimi përpara një marrëveshjeje të mundshme paqeje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, duket se ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kushteve për një pauzë të plotë të armiqësive.

Trump, i cili ka treguar shenja të humbjes së durimit, ka folur për vendosjen e sanksioneve dytësore ndaj vendeve që blejnë naftë ruse, nëse mendon se Moska po zvarritet në një marrëveshje me Ukrainën.

Zyrtarët ukrainas i kanë dërguar në ditët e fundit Uashingtonit një listë të objektivave që beson se Rusia i ka goditur në kundërshtim me armëpushimin e infrastrukturës energjetike që të dy vendet ranë dakord muajin e kaluar. Të premten, Trump tha në një postim në ‘Truth Social’ shumë njerëz po vdesin, mijëra në javë, në një luftë të tmerrshme dhe të pakuptimtë. Putin, në anën tjetër, ka thënë se është i gatshëm, në parim, të bie dakord për një armëpushim të plotë, ndërsa theksoi se detajet vendimtare të zbatimit mbeten të pazgjidhura.

Konkretisht, ai ka thënë se Ukraina nuk duhet të bashkohet me NATO-n, se madhësia e ushtrisë së saj duhet të kufizohet dhe se Rusia duhet të marrë tërë territorin e katër rajoneve ukrainase që pretendon si të sajat, pavarësisht se nuk i kontrollon plotësisht.

Me Moskën që kontrollon pak më pak se 20% të Ukrainës dhe forcat ruse që vazhdojnë të përparojnë në fushën e betejës, Kremlini beson se Rusia është në një pozitë të fortë kur bëhet fjalë për negociatat dhe se Ukraina duhet të bëjë lëshime. Kievi thotë se kushtet e Rusisë do të përbënin një kapitullim


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota