Studentët serbë në Strasburg me biçikletë për protestat antiqeveritare
BKT
Rajoni dhe Bota

Studentët serbë në Strasburg me biçikletë për protestat antiqeveritare

RTSH

Studentët në Serbi po përshkallëzojnë protestat në vend duke u përpjekur gjithashtu të ndërkombëtarizojnë luftën e tyre. Një grup prej tetëdhjetë studentësh, pas një udhëtimi 13-ditor me biçikletë, kanë mbërritur në Strasburg, për të informuar institucionet evropiane për situatën në Serbi.

Banorët e qytetit, kryesisht serbë me banim në Francë, hapën një tapet të kuq dhe i pritën studentët çiklistë me brohoritje.

Studentët në Serbi, të cilët kanë më shumë se katër muaj që po demonstrojnë kundër korrupsionit, paqartësisë, meritokracisë dhe në favor të shtetit ligjor, po i kërkojnë Evropës që të mos jetë indiferente dhe të dëgjojë kërkesat e tyre.

Delegacioni studentor serb do të vizitojë sot Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Në të njëjtën kohë, në Serbi, bllokada studentore e ndërtesave të televizionit publik në Beograd dhe Novi Sad po vazhdon për të dytën ditë.

Studentët pretendojnë se televizioni publik serb nuk po i përcjell siç duhet protestat dhe kërkojnë ngritjen e Entit Rregullator të Mediave Elektronike (REM), i cili prej muajsh nuk funksionon për shkak të dorëheqjes së shumë anëtarëve të tij.

Punonjësit e televizionit hyjnë në godinë me ndihmën e policisë, e cila krijon një korridor njerëzor për të kaluar.

Qyteti i Kralevës, në Serbinë qendrore, i cili do të jetë sot epiqendra e protestave të studentëve, është bllokuar nga sot.

Në parlamentin serb për të dytën ditë vazhdon debati për zgjedhjen e qeverisë së re. Mandati për formimin e qeverisë iu dha mjekut endokrinolog, doktor Juro Machut, i cili në fjalën e tij të rastit ditën e djeshme vendosi si prioritet përfundimin e protestave të studentëve.

Votimi me gjasë do të bëhet nesër, por konsiderohet e sigurt se formimi i qeverisë i propozuar nga kryeministri i mandatuar do të marrë votëbesimin.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota