Trump kërkon shkarkimin e kreut të Rezervës Federale, Powell
BKT
Foto: Reuters
Rajoni dhe Bota

Trump kërkon shkarkimin e kreut të Rezervës Federale, Powell

Hanife Osmani / RTK

Donald Trump ka shpërthyer ashpër ndaj kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell, duke kërkuar publikisht shkarkimin e tij dhe duke e akuzuar për vendime të gabuara që, sipas tij, po dëmtojnë ekonominë amerikane.

Në një postim të drejtpërdrejtë dhe të zemëruar, presidenti amerikan deklaroi se “shkarkimi i Powell nuk mund të vijë mjaftueshëm shpejt”, duke e kritikuar për mungesë veprimi në uljen e normave të interesit.

Deklaratat e Trump erdhën vetëm një ditë pasi Powell kishte paralajmëruar se tarifat e vendosura nga administrata Trump po e fusin ekonominë në një terren të panjohur, duke e çuar vendin drejt rreziqeve të inflacionit të lartë dhe papunësisë, një skenar i ngjashëm me stagflacionin e viteve ‘70.

E Trump nuk e kurseu atë dhe e quajti raportin e Fed-it një “rrëmujë tipike” dhe vetë Powell-in si të papërshtatshëm për detyrën. Ndërkohë, Banka Qendrore Evropiane njoftoi për një tjetër ulje të normave të interesit, duke e vënë në siklet të mëtejshëm krahasimin mes veprimeve të Fed-it dhe institucioneve të tjera globale.

Që nga viti 2018, kur Powell mori drejtimin e Fed-it, fillimisht me emërim nga vetë Trump tensionet kanë qenë të vazhdueshme. Gjatë mandatit të tij, Trump ka paralajmëruar disa herë për mundësinë e shkarkimit të Powell-it, madje njëherë e quajti edhe ?armik?. Por, pavarësia ligjore e Fed-it dhe precedentët gjyqësorë e mbrojnë pozitën e Powell, të paktën teorikisht, deri në fund të mandatit të tij në 2026.

Përplasja Trump-Powell nuk është thjesht debat ekonomik, po është një betejë për kontrollin institucional dhe për vetë rregullat e demokracisë amerikane.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota