Dronët rus kanë sulmuar në Odesa dhe në Kharkiv
Bardhyl Bajrami / RTK
Nëntë persona janë vrarë e të paktën 30 janë lënduar nga një sulm me dron kundër një autobusi i cili po bartte punëtorët. Ngjarja ka ndodhur në qytetin Marhanets në jug të Ukrainës.
Serhiy Lysak, kreu rajonal i Dnipropetrovskut ka thënë se numri i të vrarëve po rritet ndërkohë.
Ndërsa nga sulmet e dronëve rus në Odesa, qytetin port në jug të Ukrainës janë lënduar të paktën dy persona. Kështu ka raportuar Shërbimi Emergjent Kombëtar i Ukrainës mëngjesin e së mërkurës.
Sipas kësaj agjencie, dronët kanë goditur dhe dëmtuar ndërtesa banimi dhe infrastrukture tjetër civile. Ekipet e shpëtimit, vullnetarët dhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare kanë fikur zjarrin e përhapur si pasojë e sulmeve këtyre sulmeve.
Sulme me dron ka pasur edhe në Kharkiv. Dronët rus kanë goditur mbi infrastrukturën civile të qytetit duke shkaktuar zjarr mirëpo, autoritetet lokale deri tani nuk kanë njoftuar për viktima apo të lënduar eventual. Raportohet se ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit dhe shërbimet komunale janë angazhuar nën kërcënimin e sulmeve tjera të armikut.























