Mijëra besimtarë ia dhanë lamtumirën e fundit Papa Françeskut
BKT
Rajoni dhe Bota

Mijëra besimtarë ia dhanë lamtumirën e fundit Papa Françeskut

Hanife Osmani / RTK

Në një atmosferë të ngarkuar me emocion dhe përulësi, mijëra pelegrinë nga e gjithë bota janë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë të hënën në moshën 88-vjeçare pas një goditjeje në tru dhe një beteje të gjatë me pneumoninë.

Arkivoli i tij i hapur u bart të mërkurën në një procesion solemn nga rezidenca e tij në Shtëpinë Santa Marta deri në Bazilikën e Shën Pjetrit, nën tingujt e kambanave dhe duartrokitjet respektuese të turmës, një shprehje tradicionale italiane nderimi.

Papa Françesku, papa i parë nga Amerika Latine dhe një figurë me ndikim të thellë progresiv në Kishën Katolike, shërbeu për 12 vite si udhëheqësi shpirtëror i më shumë se një miliard besimtarëve. Ndonëse njihej për përulësinë dhe thjeshtësinë e tij, vdekja e tij ka shkaktuar një valë zie dhe nderimesh globale, duke prekur zemrat e njerëzve nga të gjitha anët e botës.

Qindra veta kishin filluar të grumbulloheshin që në orët e para të mëngjesit për të parë arkivolin e tij, ndërsa shërbimi për publikun nisi në orën 11:00.

Për shumëkënd, Papa Françesku simbolizonte shpresën, unitetin dhe përfshirjen, një papë që mbështeti të gjithë, pa dallim orientimi apo prejardhjeje. Dëshira e tij e fundit për një ceremoni të thjeshtë reflektonte gjithë filozofinë e tij si papë, larg luksit, pranë njerëzve.

Ai nuk do të prehet në Bazilikën e Shën Pjetrit si paraardhësit e tij, por në një kishë të përkushtuar ndaj Virgjëreshës Mari në zemër të Romës, nën një gur të thjeshtë me vetëm emrin e tij. Ndërkohë, apartamentet papnore janë vulosur me dyllë, duke shënuar nisjen e periudhës Sede Vacante, deri në zgjedhjen e papës së ri.

Një epokë përfundon me ndjeshmëri dhe nderim të thellë, ndërsa bota pret të shohë kush do të mbajë më tej trashëgiminë së tij.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota