Situata mes Indisë dhe Pakistanit është pranë përshkallëzimi
Bardhyl Bajrami/ RTK
Pas sulmit të së martës në Kashmir ku u vranë 26 turistë lokalë, situata mes Indisë dhe Pakistanit po tensionohet. Të dy vendet kanë marrë masa ndaja njëra-tjetrës. Përgjegjësinë për sulmin, zyrtarisht nuk e ka marrë askush, derisa mediet dyshojnë se sulmi është kryer nga një grup militant me bazë në Pakistan.
Situata po tensionohet dhe është pranë përshkallëzimit mes Indisë dhe Pakistanit pas sulmit të së martës në Kashmir që kontrollohet nga India e ku u vranë 26 turistë. Policia e Indisë ka publikuar emrat e tre sulmuesve nga katër sa thuhet se ishin që dyshohet se kanë kryer sulmin në Pahalgam, vend piktoresk që vizitohet nga turistët.
Pas sulmit, kryeministri i Indisë Narendra Modi, ka deklaruar se India do ta dënojë secilin terrorist dhe përkrahësit e tyre. Përgjegjësinë për sulmin ende nuk e ka marrë askush, derisa Pakistani ka mohuar përfshirjen në këtë rast.
Disa medie kanë raportuar se një degë e grupit militant me bazë në Pakistan “Lashkar-e-Taiba” mund ta ketë marrë përgjegjësinë.
India ka mbyllur pikën kryesore kufitare me Pakistanin dhe i ka dëbuar diplomatët ushtarakë, ka pezulluar traktatin për përdorimin e përbashkët të ujërave mes fqinjëve dhe të gjitha shërbimet për viza për shtetasit pakistanez, si dhe ka reduktuar numrin e diplomatëve pakistanez nga 55 në 30 që do të vlen nga 1 maji.
Edhe Pakistani ka marrë pothuajse masat e njëjta sikur ato që ka ndërmarrë India. Kashmiri, rajon i Himalajeve, ishte ndarë pas pavarësimit të Indisë nga Mbretëria e Bashkuar dhe krijimit të shtetit të Pakistanit në vitin 1947. Edhe India edhe Pakistani kanë pretendime për këtë rajon dhe kanë luftuar në dy luftëra dhe një konflikt të kufizuar mbi të gjatë dekadave të tëra. Rreth 500 mijë ushtarë indianë janë të pozicionuar në Kashmir gjatë gjithë kohës.























