Trump përgëzon kryeministrin Carney për fitoren në zgjedhje në Kanadë
M.M. /RTKlive
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka telefonuar kryeministrit kanadez, Mark Carney, për ta përgëzuar për fitoren e tij në zgjedhjet e përgjithshme të vendit dhe të dy kanë rënë dakord të takohen në të ardhmen e afërt.
Të dy vendet pritej të fillonin bisedimet për një marrëdhënie të re ekonomike dhe sigurie, pas votimit të së hënës.
Tarifat tregtare të Trump dhe komentet e përsëritura që minojnë sovranitetin e Kanadasë e errësuan garën, e cila përfundoi me fitoren e liberalëve të Carney-t, me një qeveri minoritare, raporton CBC.
Zyra e kryeministrit kanadez, bëri të ditur se në telefonatën e tyre të parë pas zgjedhjeve, Trump e përgëzoi Carney-n për fitoren e tij dhe që të dy udhëheqësit kishin "rënë dakord mbi rëndësinë e bashkëpunimit të Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara - si kombe të pavarura dhe sovrane - për përmirësimin e tyre të ndërsjellë", raporton BBC.
Fakti që Carney nuk fitoi një shumicë të plotë do ta bëjë detyrën e tij urgjente të negociatave me homologun e tij amerikan dhe trajtimin e një sërë çështjesh të brendshme, një sfidë më të madhe - pasi ai do të duhet të sigurojë mbështetje nga partitë e tjera politike.























