Trump shpall marrëveshje të madhe tregtare me Britaninë e Madhe
G.K/RTKlive
Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur një marrëveshje të re tregtare me Mbretërinë e Bashkuar, e cilësuar si “shumë e madhe”, duke shënuar marrëveshjen e parë të këtij lloji që nga vendosja e tarifave të reja globale muajin e kaluar.
Sipas Trump, marrëveshja do t’i ofrojë Shteteve të Bashkuara qasje të zgjeruar në tregun britanik për produkte bujqësore, kimikate, makineri dhe produkte industriale. Në këmbim, SHBA ka rënë dakord të ulë tarifat për makinat britanike nga 25% në 10% për 100 mijë makinat e para, dhe të eliminojë tarifat për çelikun dhe aluminin.
“Kjo është një fitore për fermerët tanë, për industrinë tonë të makinave dhe për çdo amerikan që punon për të forcuar ekonominë tonë,” deklaroi Trump nga Zyra Ovale.
Ndërkohë, Britania do të eliminojë tarifat për etanolin dhe do të lejojë hyrjen pa tarifa të 13,000 tonëve mish viçi nga SHBA, me kusht që ai të përmbushë standardet britanike të sigurisë ushqimore – që përjashton mishin e rritur me hormone artificiale.
Kryeministri britanik Keir Starmer, i lidhur nëpërmjet telefonit gjatë shpalljes, tha se marrëveshja është “historike” për industrinë britanike, veçanërisht për sektorët e automjeteve dhe çelikut që janë prekur nga tarifat amerikane.
Megjithatë, marrëveshja e re nuk është një marrëveshje e plotë tregtare e lirë, për të cilën Britania kishte shpresuar pas daljes nga BE. Ajo shihet më tepër si një marrëveshje sektorale, që mund të shërbejë si model për negociatat që SHBA pritet të zhvillojë me vende të tjera aziatike si India, Koreja e Jugut dhe Vietnami, shkruan Poltico.
Marrëveshja vjen pas vendimit të presidentit Trump për të vendosur një tarifë bazë prej 10% për të gjitha mallrat e importuara dhe tarifa shtesë deri në 50% për partnerë të ndryshëm tregtarë. Për të lehtësuar tensionet tregtare, administrata ka shpallur një pezullim 90-ditor të tarifave, që përfundon më 8 korrik.
Tregtia dypalëshe SHBA–MB ka arritur në 148 miliardë dollarë në vitin 2024, duke përfaqësuar vetëm 3% të tregtisë totale të SHBA-së me botën, por me një suficit tregtar në favor të SHBA-së – një fakt që e ndihmoi Britaninë në negociata.























