Ukraina armëpushimin rus e quan farsë, ndërsa sulmet e Moskës vazhdojnë
BKT
Rajoni dhe Bota

Ukraina armëpushimin rus e quan farsë, ndërsa sulmet e Moskës vazhdojnë

Hanife Osmani/ RTK

Rusia shpall armëpushim, por bombardimet nuk ndalen. Ukraina denoncon qindra shkelje dhe e cilëson nismën farsë propagandistike. Kievi po kërkon paqe të vërtetë, jo shfaqje.

Rusia shpalli një armëpushim të njëanshëm tre-ditor në Ukrainë, por ky gjest i pretenduar paqeje u shndërrua në një farsë të përgjakshme, sipas autoriteteve ukrainase. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, raportoi plot 734 shkelje të armëpushimit nga pala ruse vetëm që nga hyrja në fuqi e tij natën e së enjtes. Ndërkohë, ministria e mbrojtjes ruse mohoi shkeljet dhe fajësoi Ukrainën për 488 sulme. Në veri të vendit, në rajonin e Sumyt, një person humbi jetën si pasojë e bombardimeve ruse, ndërkohë që goditjet kanë dëmtuar ndërtesa në zonat e banuara në qytetin Bilopillia.

Zyrtarë ushtarakë ukrainas raportuan gjithashtu sulme tokësore në disa zona lindore, pavarësisht se armëpushimi rus ishte në fuqi zyrtarisht që në mesnatën e Moskës. Presidenti Volodymyr Zelensky e përshkroi këtë nismë si një ‘shfaqje teatrale’ për të mbrojtur paradën ruse të fitores, duke ritheksuar nevojën për një armëpushim të vërtetë, të paktën 30-ditor.

Zëra kritikë në perëndim dhe brenda vetë Ukrainës, e cilësuan këtë armëpushim si një manovër mashtruese të Kremlinit, e destinuar jo për të sjellë paqe, por për të kontrolluar narrativen ndërkombëtare dhe për të mbrojtur interesat e brendshme politike të Putinit. Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping nënshkroi një marrëveshje të re investimesh me Rusinë dhe konfirmoi praninë në paradën në Sheshin e Kuq, pavarësisht paralajmërimeve nga Ukraina se nuk mund të garantojë sigurinë e të pranishmëve. Rusia, për të shmangur sulmet ukrainase me dronë gjatë festimeve, ka vendosur masa të forta sigurie, përfshirë edhe ndërprerjen e internetit mobil.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota