Trump pritet të bisedojë me Putin
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump pritet të bisedojë me Putin

Hanife Osmani / RTK

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të zhvillojë një telefonatë të drejtpërdrejtë me Presidentin rus Vladimir Putin në përpjekje për të ndalur luftën në Ukrainë, të cilën ai e përshkroi si një “gjakderdhje”.

Ky zhvillim vjen në një moment kritik, pasi përpjekjet diplomatike ndërkombëtare kanë ngecur, ndërsa konflikti po hyn në një fazë edhe më të ashpër ushtarake.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi se presidenti është thellësisht i frustruar me të dyja palët dhe e sheh armëpushimin si objektivin parësor të kësaj bisede.

Nga ana tjetër, liderët evropianë po e shohin këtë ndërhyrje të Trump me një dozë të lartë dyshimi.

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka konfirmuar se para bisedës së Trump me Putinin, ai dhe liderë të tjerë të BE-së do të konsultohen me presidentin amerikan për të përcaktuar vijat e kuqe dhe qëndrimet që do të duhet të mbrohen. Në radhët e disa diplomatësh evropianë po rritet shqetësimi se Trump mund të jetë i gatshëm të bëjë lëshime të mëdha ndaj Rusisë, veçanërisht lidhur me ndaljen e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe tolerimin e pushtimeve territoriale.

Një tjetër çështje që ka marrë vëmendje është qasja e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, i cili pas një takimi me Zelensky-n dhe një vizite në Vatikan, u shpreh se SHBA nuk mund të mbetet pafundësisht në një konflikt që sipas tij nuk është “lufta jonë”.

Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të përziera, sidomos në radhët e shteteve të NATO-s që ndihen të ekspozuara ndaj ambicieve ushtarake të Rusisë.

Nga Brukseli, disa figura kyçe në BE kanë shprehur shqetësimin se diplomacia e stilit Trump mund të dëmtojë unitetin euroatlantik dhe të nxisë një ndarje të re strategjike brenda Perëndimit.

Megjithatë, Von der Leyen dhe liderë të tjerë kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim, nëse Trump arrin të ruajë integritetin e qëllimeve strategjike të aleancës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota