Trump paralajmëron tarifa të reja për mallrat e BE-së
Hanife Osmani /RTK
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump paralajmëron tarifa 50% për mallrat e BE-së dhe 25% për iPhone-t e huaj. Lëvizja trondit tregjet globale dhe rrit tensionet tregtare. Ndërsa, qëllimi sipas liderit amerikan është për të mbrojtur prodhimin amerikan.
Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë një tarifë prej 50% ndaj të gjitha mallrave që vijnë nga Bashkimi Evropian në Shtetet e Bashkuara, si dhe një tarifë prej 25% për të gjitha iPhone-t që nuk prodhohen brenda vendit.
Këto deklarata vijnë vetëm pak orë para nisjes së bisedimeve tregtare mes SHBA-së dhe BE-së, duke sinjalizuar një përshkallëzim të mundshëm të tensioneve tregtare.
Trump ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj mungesës së përparimit në negociata dhe ka paralajmëruar se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 qershor. Më parë, ai kishte propozuar një tarifë prej 20% për shumicën e mallrave të BE-së, por e kishte ulur në 10% deri më 8 korrik për të lejuar vazhdimin e bisedimeve.
BE-ja ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj këtyre kërcënimeve, ndërsa analistët mendojnë se deklaratat e Trump-it janë një taktikë për të fituar avantazh në tryezën e bisedimeve.
Tregjet financiare kanë reaguar menjëherë negativisht, me rënie të indekseve kryesore në SHBA dhe Evropë. Aksionet e Apple ranë mbi 2%, pavarësisht se më parë kompania kishte marrë përjashtime nga disa tarifa.
Bashkimi Evropian është një partner i madh tregtar i SHBA-së, me mbi 600 miliardë dollarë eksporte në vitin e kaluar, ndërkohë që ka importuar rreth 370 miliardë dollarë mallra nga SHBA.
Trump e ka cilësuar këtë bilanc si të padrejtë për kompanitë amerikane, veçanërisht në sektorët e automobilave dhe bujqësisë.























