Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë të burgosur, 390 ushtarë dhe civilë
M.M./ RTKlive
Rusia dhe Ukraina kanë dorëzuar secila palë nga 390 ushtarë dhe civilë të burgosur, duke u bërë kështu shkëmbimi më i madh i të burgosurve që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022.
Të dyja palët kthyen 270 ushtarakë dhe 120 civilë në kufirin ukrainas me Bjellorusinë, si pjesë e marrëveshjes së vetme të arritur në bisedimet e drejtpërdrejta në Stamboll një javë më parë, raporton BBC.
Të dyja palët kishin rënë dakord për një shkëmbim prej 1,000 të burgosurish dhe konfirmuan se do të kishte shkëmbime të mëtejshme në ditët në vijim. Edhe pse ka pasur dhjetëra shkëmbime në shkallë më të vogël, asnjë dorëzim tjetër nuk ka përfshirë kaq shumë civilë.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se midis atyre që u dorëzuan ishin ushtarakë dhe civilë, përfshirë ata të kapur nga forcat ukrainase në rajonin kufitar Kursk të Rusisë gjatë ofensivës së Kievit në muajt e fundit.
"Ne po i sjellim njerëzit tanë në shtëpi", njoftoi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në mediat sociale.
Shtabi koordinues i Ukrainës për të burgosurit e luftës tha se 270 ushtarakët ukrainas kishin luftuar në rajone në të gjithë lindjen dhe veriun, nga Kievi, Çernihivi dhe Sumi deri në Donetsk, Kharkiv dhe Kherson.
Zyrtarët thanë se në mesin e 390 të liruarit të premten ishin tri gra, si dhe disa nga ushtarët ishin mbajtur të burgosur që nga viti 2022.























