Rusia e Ukraina kanë shkëmbyer nga 307 të burgosur lufte
Bardhyl Bajrami|RTK
307 robër rusë të luftës si dhe 307 robër ukrainas të luftës janë shkëmbyer sot mes Rusisë dhe Ukrainës. Pjesëtarët rusë të liruar sot janë dërguar në territorin e Bjellorusisë ku po marrin trajtimin e duhur mjekësor dhe psikologjik.
Si pjesë e fazës së parë, dje, të premten më 23 maj, janë shkëmbyer mes palëve 270 persona - personel ushtarak dhe 120 civilë. Ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se shkëmbimi në shkallë të gjerë i robërve të luftës në kuadër të marrëveshjes të arritur me Ukrainën në Stamboll më 16 maj, do të vazhdon edhe më tej.
Të liruarit e sotëm janë liruar si pjesë e fazës së dytë të marrëveshjes, ndërsa të dielën, më 25 maj, do të lirohen robërit e tjerë të luftës, si pjesë e fazës së tretë të marrëveshjes për lirimin gjegjësisht shkëmbimin e tyre.
Pavarësisht shkëmbimit të robërve të luftës sipas marrëveshjes së arritur, Rusia ka vazhduar me një valë sulmesh nëpër tërë Ukrainën ku autoritetet ukrainase kanë raportuar se janë vrarë 13 persona ndërsa janë lënduar 56 civilë.
Vetëm drejt kryeqytetit Kiev, Rusia ka lansuar 250 dronë dhe 14 raketa balistike kanë thënë forcat ajrore ukrainase. Si pasojë zjarri është përhapur nëpër ndërtesa banimi.























