Elon Musk largohet nga administrata Trump
BKT
Rajoni dhe Bota

Elon Musk largohet nga administrata Trump

Flutura Bekqeli/ RTK

Elon Musk ka thënë se po largohet nga administrata Trump pasi udhëhoqi përpjekjet për të reduktuar dhe reformuar burokracinë federale, që rezultoi me shkurtimin e mijëra vendeve pune në agjencitë federale.

Në një postim në platformën e tij të mediave sociale X, Elon Musk falënderoi Trumpin për mundësinë për të ndihmuar në drejtimin e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, i njohur si Doge.

Roli i tij ishte i përkohshëm dhe largimi i tij nuk është i papritur, por vjen një ditë pasi Musk kritikoi pjesën qendrore legjislative të agjendës së Trump.

“Ndërsa koha ime e planifikuar si nëpunës i posaçëm i qeverisë po përfundon, do të doja të falënderoja Presidentin Donald Trump për mundësinë për të reduktuar shpenzimet e kota”, shkroi Musk në X. "Misioni @DOGE do të forcohet vetëm me kalimin e kohës pasi bëhet një mënyrë jetese në të gjithë qeverinë."

Manjati i teknologjisë i lindur në Afrikën e Jugut ishte caktuar si "punonjës i posaçëm i qeverisë", duke e lejuar atë të punonte një punë federale për 130 ditë çdo vit.

Musk uli ndjeshëm objektivin për shkurtime në shpenzime fillimisht nga 2 trilionë dollarë në 1 trilion, e më pas në 150 miliardë dollarë. Herë pas here, ai përplasej me zyrtarë të tjerë të administratës Trump, të cilët e konsideronin të padëshiruar përpjekjen e tij për të ndryshuar strukturat e departamenteve të tyre.

Roli i Muskut në administratë ishte që në fillim i përkohshëm, dhe ai së fundi kishte dhënë sinjale se do të rikthehej te drejtimi i bizneseve të tij, si prodhuesi i makinave elektrike Tesla dhe kompania hapësinore SpaceX.

Rreth 260,000 nga fuqia punëtore civile federale prej 2.3 milionësh, u janë shkurtuar punët ose kanë pranuar marrëveshje për tepricë si rezultat i Doge. Në disa raste, gjyqtarët federalë bllokuan shkarkimet masive dhe urdhëruan që punonjësit e pushuar të riktheheshin në punë. Qasja e shpejtë ndaj shkurtimit të fuqisë punëtore federale çoi herë pas here në lirimin gabimisht të disa punëtorëve, duke përfshirë stafin në programin bërthamor të SHBA.

Musk njoftoi në fund të prillit se do të tërhiqej për të drejtuar sërish kompanitë e tij.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota