Ukraina godet bazat ruse dhe pretendon dëmtimin e mbi 40 avionëve
Hanife Osmani / RTK
Në një nga episodet më të bujshme të luftës që po vazhdon të përshkallëzohet, Ukraina ka ndërmarrë një sulm ajror me dronë ndaj infrastrukturës ajrore ruse, duke synuar drejtpërdrejt zemrën e kapaciteteve bombarduese të Moskës.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) raportoi se më shumë se 40 avionë bombardues rusë, janë goditur në bazat ajrore strategjike të Belayas në Irkutsk dhe Olenya në veri të largët të Murmanskut.
Sipas, Shërbimit të Sigurisë ukrainase ky ishte një nga operacionet më të sofistikuara me dronë të ndërmarrë ndonjëherë në territorin e thellë rus. Ukraina pretendon se këto avionë ishin përgjegjës për lëshimin e raketave ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase dhe se eliminimi i tyre është një goditje strategjike për kapacitetet sulmuese të Kremlinit.
Në kundërpërgjigje, Rusia kreu një sulm të koordinuar ajror mbi Ukrainë, duke lëshuar 472 dronë kamikazë dhe shtatë raketa, mes tyre lloje balistike dhe lundruese.
Ushtria ukrainase deklaron se ka arritur të rrëzojë 385 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër shkaktoi dëme të kufizuara në disa rajone lindore dhe jugore.























