Publikohet raporti për minimin e rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës
RTKlive
Forumi për Bashkëpunim dhe Kërkime ka publikuar raportin për minimin e rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës: Pesë skenarë pas 12 qershorit.
Sot në Srebrenicë u prezantua raporti “Nga fjalët te veprat: Kronologjia e përpjekjeve për minimin e integritetit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës”. Ky dokument ofron një analizë të plotë dhe të detajuar të retorikës, masave ligjore, politike dhe institucionale që udhëheqja e entitetit Republika Srpska ka ndërmarrë nga mesmi i vitit 2023 deri në mes të vitit 2025, me qëllim kufizimin e kompetencave të organeve shtetërore dhe sfidimin e rendit kushtetues të BH-së. Analiza tregon të gjitha hapat që kanë paraprirë vakuumit aktual politik e ligjor, në mënyrë që të ndahen në mënyrë objektive faktet dhe informacionet që mund të ndihmojnë në kuptimin ndërkombëtar të kësaj krize.
“Edhe pse në Bosnjë e Hercegovinë është e vështirë të ndash një krizë politike nga tjetra, analiza tregon se për krizën e tanishme kyç është miratimi i Ligjit për menaxhimin e pronave të paluajtshme në nivel entiteti, pezullimi i të cilit rezultoi me miratimin e Ligjit për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BH-së dhe të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republikës Srpska. Qëllimi ynë ka qenë, në mënyrë objektive dhe duke u bazuar tek faktet, të shpjegojmë kronologjinë e shkaktarëve dhe pasojave, që aktorët e jashtëm të kuptojnë më mirë çfarë po ndodh në BH. Tani është koha të shqyrtohen modalitetet e daljes nga kriza, në dobi të qytetarëve të BH-së dhe parimeve të sundimit të ligjit”, thonë nga Forumi për Bashkëpunim dhe Kërkime.
Ekipi kërkimor i FSI-së analizoi implikimet ligjore dhe politike të veprimeve të autoriteteve në Banjallukë. Studimi zbulon se si logjika paralele ligjore dhe institucionale e Republikës Srpska çoi në kolaps sistemik të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke kërcënuar kohezionin e shtetit dhe besimin e qytetarëve te sundimi i ligjit. Vëmendje e veçantë i është kushtuar gjuhës së urrejtjes dhe islamofobisë, që kanë shoqëruar vendimet politike e institucionale të marrësve të pushtetit.
“Botimi paralajmëron për skenarë të mundshëm të zhvillimit të krizës – nga riintegrimi i detyruar me mbështetje ndërkombëtare, përmes paralizës së përhershme të institucioneve shtetërore, deri te dezintegrimi formal. Skenari i parë paraqet riintegrim institucional përmes zbatimit të ligjeve. Shteti zbaton vendimet e Gjykatës së BH-së dhe arreston të përgjegjshmit, me sanksione dhe kushtëzim financiar, që do ta detyronin RS-në të shfuqizojë ligjet antikushtetuese dhe të rikthehet te bashkëpunimi me institucionet shtetërore. Duke pasur parasysh strukturat vertikale ekzistuese të kontrollit të financave publike, analiza paralajmëron se gjatë një deeskalacioni të tillë duhet të ngrihet komunikimi me disa funksionarë të SNSD-së, të cilët kanë qenë deri tani jashtë narrativës së krizës, si anëtarja e Presidencës së BH-së, Željka Cvijanović. Përndryshe, do të jetë e vështirë të krijohet një kapacitet për veprim politik që mund t’i “çelë” institucionet e BH-së në këto rrethana”, theksojnë nga Forumi.
Skenari i dytë parashikon krijimin e një rendi paralele ligjor. RS formalizon një sistem që refuzon të zbatojë vendimet në nivel shtetëror, duke krijuar dy sisteme të pushtetit që përjashtohen reciprokisht dhe duke bllokuar de facto sundimin e vetëm të ligjit në BH. Afatgjatë, kjo situatë do të rrezikonte seriozisht rrugëtimin evropian të BH-së dhe do të shërbente si precedent për më tej prishjen e shtetit. Megjithatë, natyra e ngadaltë dhe graduale e këtyre hapave mund të shkaktojë një efekt “mësimi” tek publiku për realitetin e ri, pa ndonjë sinjal alarmi.
Skenari i tretë është mbajtja e kontrolluar e krizës përmes negociatave politike. Në këtë rast, aktorët ndërkombëtarë dhe forcat e moderuara nga RS-ja bien dakord për ngrirje të përkohshme të legjislacionit të kontestuar përmes kompromisëve politikë dhe paketash financiare, duke rikthyer një dukuri funksionimi të institucioneve shtetërore pa zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjes kushtetuese. Por, kjo sjell një sërë kompromisesh që palët në tavolinë nuk mund t’i përmbushin, sidomos faktorët politikë nga Sarajeva, të cilët duhet të mbajnë besimin e votuesve të tyre.
Skenari i katërt është eskalimi në një krizë ndërkombëtare dhe intervenimi i jashtëm. Militarizimi i mëtejshëm i policisë së RS-së dhe pengimi i hapur i Drejtorisë për Hetime të Brendshme (SIPA) çon në përfshirjen aktive të OHR-së dhe EUFOR-it në ekzekutimin e arrestimeve, si dhe masa të mundshme “të detyruara” që rikthejnë kushtet sipas Marrëveshjes së Dejtonit. Në mungesë të një reagimi të tillë dhe pa zgjidhjen e skenarëve të mëparshëm, mund të vijë deri te dezintegrimi formal kushtetues.
Skenari i pestë ka të bëjë me miratimin e hapur të një “kushtetute” sovrane nga RS-ja, ndalimin e zbatimit të ligjeve shtetërore, krijimin e strukturave të armatosura dhe doganore të veta dhe organizimin e një referendumi për pavarësi, që do të çonte në shkatërrimin përfundimtar të rendit të Dejtonit dhe destabilizim të përhershëm.
"Forumi për Bashkëpunim dhe Kërkime bashkon ekspertët e shquar të së drejtës dhe politikës, të cilët fokusohen në mbrojtjen e të drejtave të njeriut të komuniteteve që kthehen në entitetin Republika Srpska. Gjatë pesë viteve të fundit, ata kanë publikuar një sërë analizash për mbrojtjen e të drejtave të kthyesve, gjuhën e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes bazuar në papajtueshmëri etnike ose fetare, propozime për programe mbështetëse për kthim, si dhe çështje diskriminimi në qasjen ndaj arsimit, shërbimeve publike dhe pjesëmarrjes politike të komuniteteve kthyes në BH. Analiza e prezantuar është përkthyer në anglisht dhe u dorëzua të gjithë aktorëve ndërkombëtarë dhe vendorë në Bosnjë e Hercegovinë", njofton Forumi për Bashkëpunim dhe Kërkime.
Raportin mund ta gjeni në këtë link: https://bit.ly/fsireport2025.























