Mbi 240 të vdekur nga rrëzimi i avionit të `Air India` në Ahmedabad
G.K/RTKlive
Më shumë se 240 persona kanë humbur jetën në një nga aksidentet ajrore më të rënda në historinë e Indisë, pasi një avion i kompanisë Air India u rrëzua të enjten pasdite në qytetin Ahmedabad, menjëherë pas ngritjes drejt Londrës.
Sipas autoriteteve lokale dhe kompanisë ajrore, avioni me mbi 240 persona në bord, u përplas mbi një objekt të një kolegji mjekësor, duke shkaktuar viktima edhe në tokë. Spitali civil i Ahmedabadit ka pranuar 186 trupa të pajetë dhe një të mbijetuar, ka konfirmuar një mjek për agjencinë Associated Press.
Një zyrtar i lartë i policisë deklaroi më vonë se të paktën 240 persona kanë vdekur, duke përfshirë pasagjerët, stafin dhe persona që ndodheshin në tokë në momentin e përplasjes. Të paktën pesë studentë të mjekësisë që ndodheshin në një mensë brenda kolegjit janë mes viktimave, ndërsa rreth 50 të tjerë janë lënduar.
Ende nuk janë konfirmuar shkaqet e rrëzimit, por një video e shpërndarë në rrjete sociale tregon avionin duke humbur lartësinë me hundën e ngritur lart, përpara se të përplaset dhe të shpërthejë në flakë. Hetimet janë në zhvillim dhe përfshijnë edhe ekspertë ndërkombëtarë.
Avioni ishte një Boeing 787-8 Dreamliner, dhe ky është aksidenti i parë fatal i këtij tipi avioni që nga futja në përdorim.
Ndërkohë, Grupi Tata, pronar i Air India, ka njoftuar se do t’u ofrojë 10 milionë rupi (rreth 116,800 dollarë) familjeve të viktimave, si dhe do të mbulojë shpenzimet mjekësore për të plagosurit dhe ndihmën për rindërtimin e kolegjit të dëmtuar.























