Izraeli dhe Irani shkëmbejnë sulme
Dardan Ramabaja/RTK
Izraeli dhe Irani kanë sulmuar njëri tjetrin gjatë natës ku si pasojë dhjetëra njerëz vrarë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump insiston se konflikti mund të përfundojë lehtësisht.
Izraeli dhe Irani nisën sulme të reja ndaj njëri-tjetrit gjatë natës së kaluar, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se konflikti mund të përfundonte lehtësisht, duke paralajmëruar Teheranin të mos sulmonte asnjë objektiv amerikan.
"Nëse sulmohemi në çfarëdo mënyre, apo formë nga Irani, forca dhe fuqia e plotë e Forcave të Armatosura të SHBA-së do të bjerë mbi ju në nivele të papara më herët", ka shkruar Trump në një mesazh në Truth Social.
Ekipet izraelite të shpëtimit kontrolluan rrënojat e ndërtesave të banimit të shkatërruara nga sulmet, duke përdorur edhe qen nuhatës për të kërkuar të mbijetuar pasi të paktën 10 persona u vranë, përfshirë fëmijë.
Ndërkohë Teherani ka anuluar bisedimet bërthamore që Uashingtoni i kishte thënë se ishin e vetmja mënyrë për të ndaluar bombardimet e Izraelit, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu ka kërcënuar se sulmet e deritanishme nga Izraeli nuk janë asgjë në krahasim me ato që Irani do t’i shohë në ditët e ardhshme.
Irani ka thënë se 78 persona u vranë atje në ditën e parë të fushatës së Izraelit të premten dhe ka edhe më shumë në të dytën, përfshirë 60 kur një raketë rrëzoi një bllok apartamentesh 14-katësh në Teheran, ku 29 nga të vdekurit ishin fëmijë.
Depoja e naftës Shahran në Teheran u shënjestrua në një sulm izraelit ku ka shkaktuar edhe viktima, ndërsa sulmet izraelite shënjestruan gjithashtu edhe ndërtesën e ministrisë së mbrojtjes së Iranit, duke shkaktuar dëme të vogla, tha të dielën agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.
Në Izrael, vala e fundit e sulmeve iraniane filloi pak pas orës 23:00 të së shtunës me sirenat e sulmeve ajrore që u dëgjuan në Jerusalem dhe Haifa, duke dërguar rreth një milion njerëz në strehimore.
Rreth orës 2:30 të mëngjesit sipas orës lokale, ushtria izraelite paralajmëroi për një tjetër breshëri raketash dhe u bëri thirrje banorëve të kërkonin strehim. Shpërthimet jehuan në Tel Aviv dhe Jerusalem ndërsa raketat fluturuan nëpër qiell ndërsa raketat interceptuese u lëshuan në përgjigje.
Ndërsa edhe rebelë Huthi nga Jemeni, të lidhur me Iranin, thanë të dielën se kishin shënjestruar qytetin arab Jaffa në Izrael i cili është ngjitur me Tel Avivin, me disa raketa balistike në 24 orët e fundit.
Shërbime mjekësore të Izraelit thanë se të paktën 10 persona u vranë gjatë natës, përfshirë një djalë 10-vjeçar, një vajzë të re dhe një grua në të 20-at, dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur në sulme të shumta.
Media izraelite tha se të paktën 35 persona rezultojnë të zhdukur pasi një sulm goditi Bat Yam, një qytet në jug të Tel Avivit.
Një zëdhënës i shërbimeve të emergjencës tha se një raketë goditi një ndërtesë 8-katëshe atje ku shumë njerëz u shpëtuan, ndërsa pati edhe viktima.























